Kryeministri Edi Rama këtë të enjte i është përgjigjur komenteve të ndjekësve të tij, në rubrikën në “Sy më Sy”, në Facebook.

Rama u ndaj tek procesi i integrimit europian duke theksuar se mbetet një nga qëllimet më të rëndësishme të PS për t’u realizuar. Rama tha se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë dinjitetin e tyre, duke shtuar se me hyrjen në BE, shqiptarët do të trajtohen më me dinjitet.

“Me pasaportën europiane fëmijët studiojnë atje njësoj, bëhen pa asnjë dallim, i mjafton pasaporta europiane Shqipërisë. Ka të njëjtën vlerë kudo ku shkon. Në momentin që futet në BE, kemi edhe një buxhet ekstra nga BE. Në gjithë këto vite kemi marrë një mbështetje nga BE diçka më shumë se 1 miliardë”, tha ai.

Më tej Rama shtoi se të futesh në BE do të thotë të jetë bërë një shtet me institucione që funksionon, ndërsa shtoi se në 11 maj do të kuptohet edhe se për çfarë është punuar.

“Në 11 maj do ta tregojmë se për çfarë punojmë. Negociatat për t’u anëtarësuar në BE Serbia i ka nisur në 2014 sot është mbrapa nesh. Ne ishim fundi i kavallit. Mali i Zi që sot jemi dy kandidatë pararojë dhe që duan patjetër të na fusin në BE, Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012. Maqedonia e Veriut në 2005 akoma sot nuk i ka nisur negociatat. Ne zyrtarisht jemi ulur vjet për negociatat. Dhe ne na është dhënë drita jeshile për t’i mbyllur negociatat në 2027. BE nuk të vlerëson kot, politikisht nuk të bën asnjë nder, mund të të bëjë qeder. Këta që thonë ujë e drita, janë nën efektin e ujit të kënetës”, tha kryeministri.

“Vitin e kaluar patëm 12 milionë turistë në Shqipëri, në janar shkurt të këtij viti, kemi 20 % më shumë se në janar shkurtin e vitit të kaluar. 10 muze kemi bërë këtë vit, i duan fëmijët, të rinjtë, artdashësit. Ata që nuk i duan, nuk janë të detyruar që t’i duan. Nuk ka rëndësi kur më mbaron mandati mua, rëndësi ka që në 2027 të mbyllim negociatat. Në 11 maj fokusi duhet të jetë tek negociatat, jo tek partitë. Në zyrat e shtetit shqiptar punojnë 1 mijë vetë, janë 40 skuadra që punojnë për negociata në të gjithë rrafshin, në të gjithë sektorin. Ata duhet të garantojnë që mbyllen në 2027 dhe ne duhet të bëjmë ë gjitha detyrat e shtëpisë. Në momentin kur mbyllen negociatat, Komisioni i dorëzon raportin. Do na mirëpresim të hyjmë brenda asaj familje. Flasim për historinë dhe historinë më 11 maj çdo shqiptar mund të japë një dorë që ta shkruajmë së bashku. PS është thjesht në vendin e duhur dhe kohën e duhur”, tha ai.