Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga Kreta ditën e sotme se 8 mësues nga 50 që janë caktuar në Greqi për t’u mësuar shqip fëmijëve në diasporë do të jenë në Kretë.
Nga ana tjetër, Rama njoftoi dhe lançimin e një aplikacioni që sipas tij do ta bëjë më të lehtë mësimin e gjuhës shqipe për ata që jetojnë jashtë.
Rama: Ne kemi nisur një program për mësimin e shqipes dhe kemi vendosur në dispozicion 50 mësues, nga të cilët 8 janë këtu në Kretë. Nga këtu dua të them se qëllimi ynë është që lidhja me gjeneratën e fëmijëve është për shumë më tepër se kaq. Programi i mësimit të shqipes do të zgjerohet qoftë drejtpërdrejt këtu, ose me një aplikacion që thuajse është gati dhe është një aplikacion që gjithkush mund ta fusë në telefonin e vet, që të mësojë gjuhën në formë shumë tërheqëse. Ne duam që fëmijët jashtë Shqipërisë të zgjedhin të jetojnë ku të duan, por ama çdo herë që të dëgjojnë shqip, të dinë jo vetëm se çfarë thuhet, por dhe çfarë thonë.