Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në një takim sot me shqiptarët në Athinë ndal te Reforma në Drejtësi, ndërsa theksoi se PS është garantja e vetme e asaj reforme.

Rama theksoi se Shqipëria po ndryshon në aspektin e barazisë para ligjit dhe për herë të parë nga viti 1912 kemi njerëz të lidhur me pushtetin politik, figura me fuqi më të madhe se sa njerëzit e zakonshëm që po shkojnë përpara drejtësisë.

Kryeministri theksoi se për herë të parë prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga pushteti politik po i marrin këta njerëz në pyetje, po i hetojnë, po i akuzojnë dhe po i dënojnë.

“Ju dëgjoni se të gjithë këta me bufin e kënetës në krye dhe me dashurinë time, Lulin, të gjithë këta ishin jo kundërshtarë, por ishin armiq të betuar të Reformës në Drejtësi. Nuk donin të votonin Reformën në Drejtësi, Vetingun, SPAK-un dhe u mbyllën të gjithë në çadër, madje kërcënuan se nuk do të hyjnë në zgjedhje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot shpresa e tyre e vetme e dëshpëruar është që SPAK dhe Gjykata Speciale do të shkatërrojnë PS-në dhe më në fund do t’u vijë dita atyre”.

“Ndërkohë që ajo që ata nuk kuptojnë dhe të gjithë të tjerët bashkë me shitësit e vegjël të qilimave fluturues është se ne nuk jemi në një punë, jemi në një mision. Misioni ynë është që të bëjmë Shqipërinë pjesë njëherë e mirë të familjes europiane. Ne e dimë shumë mirë që për të bërë këtë barazia e ligjit është kusht. Nuk besoj se na merr njeri për aq budallenj sa t’i hynim detit në këmbë dhe të mos e dinim se duke i dorëzuar drejtësisë shpatën nuk parashikonim që ajo shpatë do të binte edhe mbi kokat tona, mbi kokat e disave prej nesh”, tha Rama.

Por, kryeministri nënvizoi se “ne e dinim këtë dhe nuk jemi penduar për këtë”.

“Jemi krenar për këtë dhe pavarësisht se mund të kemi rezerva, mund të habitemi në ndonjë moment për ndonjë lajthitje të pushtetit tjetër, ne jo vetëm nuk kemi ndërmend të kthehemi mbrapa por jemi të vetmit garant që ajo shpatë do të mbetet në duart e drejtësisë”, tha Rama.

Por kryeministri theksoi se nëse shqiptarët do të duan që barazia para ligjit të mos diskutohet më dhe të mos jetë më çështje e partive dhe liderëve duhet që Shqipëria të hyjë në BE.

“Sa e rëndësishme është kjo mjafton të dëgjoni bufin që thotë në 11 maj do marr votat, në 12 maj do shkrij SPAK-un. Dhe sa të rëndësishëm jemi ne në këtë moment për Shqipërinë dhe për këtë histori europiane të Shqipërisë e tregon një fakt se sot të gjithë shqiptarët e dinë kush është Altin Dumani. Ai ka qenë prokuror me vite të tëra, por asnjë nuk e njihte. Kurrë nuk kishte thirrur ndonjë politikanë e lë më pastaj të ngrinte akuza. Ai është po ai që ishte një njeri i ndershëm dhe i drejtë por nuk kishte shpatën sepse drejtësia nuk e kishte shpatën, e mbante bufi i kënetës që e përdori për të futur në burg Fatos Nanon”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot të gjithë e çmojnë punën e SPAK, por ajo punë është bërë e mundur vetëm duke i dorëzuar drejtësisë pushtetin e vetë të pavarur”.

“Ajo punë nuk do të përmbyset, pro do të thellohet. Shqipëria do të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë vetëm nëse ne bashkojmë flamurin kuqezi me flamurin e Europës dhe e fusim shqiponjën brenda atyre yjeve që nuk e prek më asnjë buf kënete nga të cilët Shqipëria ka nxjerrë plot edhe në të shkuarën”, theksoi Rama.