Nga Hermes Kafexhiu
Kam dëgjuar shpesh nga zërat opozitarë, madje edhe nga Jorida Tabaku së fundmi në një podcast, se nuk duhet t’i dëgjojmë shumë ndërkombëtarët.
Pas shpalljes “Non Grata” të Sali Berishës, në politikën shqiptare u krijua një frymë mosbindjeje ndaj ndërkombëtarëve, duke i parë ata, veçanërisht amerikanët, me skepticizëm.
Nga ana tjetër, kur kjo nuk u përshtatej interesave politike të një politikani të caktuar, të njëjtët njerëz përpiqeshin të shfaqeshin afër SHBA-së, në mbledhje ndërkombëtare, pranë kongresmenëve dhe senatorëve, deri sa gjetën alibinë se me ardhjen e Trumpit, administrata e re do ta shihte ndryshe çështjen e Berishës.
Por ja që Trumpi erdhi dhe gjëja e parë që ndodhi ishte largimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i cili ishte akuzuar nga opozita si një prej personave që u mor me shpalljen “Non Grata” të Sali Berishës. Me largimin e Blinkenit, opozita pretendoi se tani do të rishikohej edhe dosja e Berishës. Por faktet tregojnë se administrata e Trumpit, në ditët e para të saj, analizoi çdo proces të qeverisë paraardhëse dhe rezultatet e këtij shqyrtimi hedhin poshtë narrativën e opozitës. Në të vërtetë, opozita nuk ka qenë e sinqertë në raportin e saj me SHBA-në, pavarësisht se kohët e fundit ka shitur idenë e një mbështetjeje të fortë, ka marrë këshilltarë pranë tyre dhe ka ndërtuar një fushatë të ngjashme me atë amerikane.
Dje, Departamenti i Shtetit, i drejtuar nga Marco Rubio, publikoi raportin vjetor mbi narkotikët, krimin dhe pastrimin e parave. DASH deklaron si më poshtë:
“SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe sekuestrimet dhe kreu hetime financiare dhe pasurore paralele kur dyshonte për pasuri të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi pasuri me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi me arrestimet dhe sekuestrimin e pasurive të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të emëruarin sipas ‘Aktit të Aprovimeve për Operacionet e Jashtme dhe Programet e Ndërlidhura të Departamentit të Shtetit, 2021’, neni 7031(c), Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare që përfitonin interesat e familjes së tij. SPAK gjithashtu akuzoi dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe pjesën e dhëndrit në kompani të lidhura me korrupsionin.”
Pas kësaj deklarate zyrtare, çfarëdo lloj përpjekjeje për ta zbehur këtë çështje kërkon një minimum serioziteti publik. Sigurisht, ndërkombëtarët nuk janë të zgjedhurit e këtij vendi dhe nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në proceset politike të brendshme, por ata janë një pikë referimi për rritjen e standardeve përmes aleancave. Ata na mbështesin, na ndihmojnë dhe, kur është e nevojshme, na korrigjojnë.
Prandaj, kam një pyetje: a mund të jetë ende populli opozitar dinjitoz pas kësaj deklarate nga SHBA, e cila tani drejtohet nga Presidenti Donald Trump?
Këtë realitet nuk e mbulon dot as dalja “lakuriq e mbretit” dhe as sherri i sajuar mes Ramës dhe Veliajt./Lexo.al