Në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me idenë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.
Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qënit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.
Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.
Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars.
Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm!