Britain's William, Prince of Wales, Catherine, Princess of Wales, Prince Harry and Meghan, the Duchess of Sussex walk outside Windsor Castle, following the passing of Britain's Queen Elizabeth, in Windsor, Britain, September 10, 2022. REUTERS/Peter Nicholls

Një gjykatë amerikane ka urdhëruar që dosjet e imigracionit të Princit Harry duhet të bëhen publike deri të martën. Gjykatësi i qarkut Carl Nichols urdhëroi lëshimin e dokumenteve bazuar në një kërkesë për lirinë e informacionit (FOI) nga Fondacioni Heritage, një institut konservator amerikan në Uashington DC.

Fondacioni pretendon se princi fshehu përdorimin e drogës në të kaluarën, gjë që duhet ta kishte skualifikuar atë nga marrja e një vize amerikane. Akuzat përqendrohen rreth pretendimeve të Dukës së Sussex në kujtimet e tij “Spare”, ku ai iu referua marrjes së kokainës, marihuanës dhe kërpudhave psikodelike. Në librin e botuar në janar 2023, Princi Harry shkroi se për herë të parë provoi kokainën në moshën 17-vjeçare.

“Nuk ishte shumë argëtuese dhe nuk më bëri veçanërisht të lumtur, pasi dukej se i bënte të gjithë rreth meje, por më bëri të ndihesha ndryshe, dhe ky ishte qëllimi kryesor”, shtoi ai. Ai gjithashtu shkroi për përdorimin e marihuanës, duke thënë se “kokaina nuk bëri asgjë për mua”, por “marihuana është ndryshe, që në të vërtetë më ndihmoi”.

Formularët e aplikimit për viza amerikane pyesin në mënyrë specifike për përdorimin aktual dhe të kaluar të drogës. Pranimet e përdorimit të drogës mund të çojnë në refuzimin e aplikimeve për viza jo-imigruese dhe imigruese, megjithëse oficerët e imigracionit kanë lirinë për të marrë një vendim përfundimtar bazuar në faktorë të ndryshëm, shkruan BBC.

Fondacioni Heritage pretendon se Princi Harry gënjeu për përdorimin e tij të drogës tek autoritetet amerikane të imigracionit, gjë që mund të çojë në një ndalim të përjetshëm nga Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i gjykatës vjen pas një vendimi të vitit 2024 nga i njëjti gjykatës, i cili tha se nuk kishte interes të mjaftueshëm publik për të zbuluar të dhënat e imigracionit të Princit Harry. Fondacioni Heritage e kundërshtoi atë vendim dhe kërkoi që vendimi të ndryshohej.

Princi Harry u transferua në SHBA me gruan e tij Meghan në vitin 2020 pasi u largua nga Britania dhe postet e tij mbretërore. Nuk dihet se me çfarë vize ka hyrë ai në vend, ndërkohë që dukesha është shtetase amerikane.

Presidenti Donald Trump më parë përjashtoi mundësinë e deportimit të Princit Harry në shkurt, duke thënë për New York Post “Do ta lë të qetë… Ai ka mjaft probleme me gruan e tij. Ajo është e tmerrshme”. Meghan ka qenë një kritike e zëshme e Trump në të kaluarën, duke e etiketuar atë si “mizogjinist”.