Presidentit Donald Trump i është kërkuar të shkarkojë Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth pas rrjedhjes së planeve të luftës në një grup bisede në “Signal”. Ndërkohë, këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz tha se ai mori “përgjegjësinë e plotë” për organizimin e bisedës në grup.
Biseda në aplikacionin e mesazheve “Signal” midis zyrtarëve amerikanë, duke përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe Hegseth, u zbulua nga gazetari amerikan Jeffrey Goldberg, i cili u shtua gabimisht në bisedë. Zyrtarët diskutuan planet për të kryer sulme ajrore ndaj Houthi-ve të Jemenit të mbështetur nga Irani, të cilat u zhvilluan më 15 mars. Waltz, i cili gabimisht kishte shtuar Goldberg në bisedën e “Signal” tha: “Unë marr përgjegjësinë e plotë…Unë e krijova grupin.”
Kongresmeni demokrat Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e përshkroi Hegseth si “sekretarin më të pakualifikuar të Mbrojtjes në historinë amerikane” dhe bëri thirrje që ai të shkarkohej.
“Prania e tij e vazhdueshme në pozitën e lartë të udhëheqjes në Pentagon kërcënon sigurinë e kombit dhe i vë në rrezik burrat dhe gratë tona të guximshme në uniformë në të gjithë botën. Sjellja e tij trondit ndërgjegjen, rrezikoi jetët e amerikanëve dhe me gjasë ka shkelur ligjin. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth duhet të shkarkohet menjëherë”, u shpreh Jeffries.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump e minimizoi incidentin dhe u shpreh se ka besim te ekipi i tij dhe se besonte që biseda nuk përmbante asnjë informacion të klasifikuar.
“Ata po përdornin një aplikacion, siç e kuptoj unë, që e përdorin shumë njerëz në qeveri, shumë njerëz në media,” u tha ai gazetarëve. Trump shprehu gjithashtu mbështetje për Waltz, duke i thënë NBC News se këshilltari i tij për sigurinë kombëtare ka mësuar një mësim dhe ai është një njeri i mirë. Presidenti amerikan tha se zyrtarët ndoshta nuk do të përdorin më Signal, por nuk ra dakord për një hetim të plotë të asaj që demokratët e kanë quajtur një shkelje të madhe të sigurisë që kërkonte dorëheqje të nivelit të lartë.
Të përfshirë në bisedën në Signal ishin Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Hegseth. Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard dhe drejtori i CIA-s John Ratcliffe, të cilët ishin të dy gjithashtu në bisedë, dëshmuan para Komitetit të Inteligjencës së Senatit të martën se nuk u nda asnjë material i klasifikuar.
Por senatorët demokratë kanë shprehur skepticizëm, duke vënë në dukje se gazetari, kryeredaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, raportoi se Hegseth postoi detaje operacionale duke përfshirë informacione rreth objektivave, armëve që SHBA do të vendoste dhe renditjes së sulmeve.
Udhëheqësi i shumicës republikane, John Thune, tha të martën se ai priste që Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit të shqyrtonte përdorimin e Signal nga zyrtarët e administratës Trump. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka vijuar me sulmet ndaj gazetarit përgjegjës për historinë origjinale në vend që të pranojë fajësinë. Integriteti i Goldberg është vënë vazhdimisht në pikëpyetje.
Duke postuar në X, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt e akuzoi Goldberg për ndjeshmërinë e historisë dhe drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung e quajti mbulimin mediatik të shkeljes së sigurisë një gjueti shtrigash.
The Atlantic është kundërpërgjigjur, duke hedhur poshtë këto pretendime. “Përpjekjet për të përçmuar dhe diskredituar The Atlantic, redaktori ynë dhe raportimi ynë ndjekin një libër të qartë nga zyrtarë të zgjedhur dhe të tjerë në pushtet, të cilët janë armiqësorë ndaj gazetarëve dhe të drejtave të Amendamentit të Parë të të gjithë amerikanëve”, thuhet në një deklaratë.
Mbetet e paqartë pse zyrtarët zgjodhën të bisedojnë përmes Signal në vend të kanaleve të sigurta qeveritare që përdoren zakonisht për diskutime të ndjeshme. Pentagoni raportohet se paralajmëroi për një dobësi të njohur në aplikacionin e bisedës Signal, në një email të dërguar përpara publikimit të artikullit të The Atlantic./ Sky News