Shtator 1998, si e përdori Sali Berisha Funeralin e Azem Hajdarit për të sulmuar ndër të tjera edhe Radio Televizionin Publik Shqiptar? Dëshmon Martin Leka, si dhe përse më morën peng protestuesit e Berishës kur mësynë në RTSH! Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv.
Ngjarjet e 14 shtatorit 1998 mbeten një nga momentet më të errëta të historisë së medias dhe politikës shqiptare. Martin Leka, ish-drejtor i Radio Tiranës, sjell një dëshmi të detajuar mbi ngjarjet që rrethuan funeralin e Azem Hajdarit dhe sulmin ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), duke hedhur dritë mbi rolin e Sali Berishës në ato ditë të tensionuara.
Martin Leka kujton momentin kur mori vesh lajmin e vrasjes së Azem Hajdarit. Ishte një natë e errët dhe me shi, dhe ndërkohë që qyteti dhe shteti prisnin fillimin e vitit të ri shkollor, tensioni politik arriti kulmin. Berisha e akuzoi menjëherë Fatos Nanon si autor të vrasjes, duke ndezur gjakrat në radhët e demokratëve, të cilët e shndërruan funeralin në një protestë të dhunshme.
Një ditë më pas, më 14 shtator, Kryeministria dhe RTSH u sulmuan,” rrëfen Leka. Në ato vite, armët ishin ende në duart e njerëzve që nga trazirat e 1997-ës. Ajo që ndodhi mund të quhet një tentativë për grusht shteti, sepse pushteti nuk merret me dhunë, por me votë.”
RTSH nën sulm: ‘Më morën peng’
Si drejtor i Radio Tiranës, Leka ndodhej në qendër të ngjarjeve. Ai kujton sesi turma sulmoi godinën e RTSH, duke shkatërruar dhe uzurpuar ambientet e televizionit shtetëror. Në atë kaos, ai përfundoi i izoluar në Redaksinë e Kosovës, nën mbikëqyrjen e një personi të armatosur.
“Një njeri që nuk e njihja po më ruante me armë. Ose kishte pirë, ose kishte diçka tjetër. Më pas, më thanë se duhej të më çonin te Azem Hajdari, domethënë i vdekur!” – tregon ai, duke përmendur edhe rolin e Antoneta Maljes në atë situatë të tensionuar.
Leka arriti të komunikonte me Sami Dushkun, një figurë e njohur e forcave speciale, i cili e ndihmoi të dilte i gjallë nga RTSH. Ai përshkruan sesi, në një moment kritike, Izet Haxhia truproja i Sali Berishës iu afrua dhe e akuzoi si një gazetar që “shante” Berishën.
“Jo,” – i thashë, “unë nuk shaj, shkruaj për Sali Berishën!”
Në atë moment, një telefonatë e Sami Dushkut drejtuar Izet Haxhisë e shpëtoi nga një fat i keq.
“Nëse e prek një fije floku, unë ju hedh në erë!” Këto ishin fjalët e Sami Dushkut që parandaluan një akt të mundshëm dhune
Një televizion nën pushtim!
RTSH u mor peng nga protestuesit e Partisë Demokratike, aq sa kur mësynë situata brenda ishte kaotike.
“Teknikëve të mi u çonin pilaf dhe supë, e shpërndante motra e Azemit në kujtim të tij,” thotë Leka, duke treguar sesi transmetimi i lajmeve u mbajt gjallë nga disa gazetarë të mbetur, përfshirë Vera Isakun dhe Etleva Gjonçajn.
Përveç kësaj, ai përmend edhe përpjekjet e Aleksandër Frangajt dhe Blendi Fevziut për të rikthyer normalitetin në media.
Përgjegjësia e Sali Berishës
Sipas Lekës, Berisha mund dhe duhej ta kishte ndalur turmën, por nuk e bëri.
“Ai e nxiti revoltën për të marrë pushtet. Por pushteti merret me votë dhe me njerëz, jo me dhunë,” thotë ai.
Në retrospektivë, Martin Leka vëren se politika e Berishës ka pasur gjithmonë një “nuancë dhune”, dhe se ngjarjet e asaj kohe tregojnë se si media dhe gazetarët u vunë në rrezik nga një klimë e egër politike. Martin Leka shprehet edhe për shkaqe të tjera të klimës gazetareske:
“Janë ngjarje që as nuk mund të imagjinohen sot. Dita e 14 shtatorit 1998 ishte e gjatë sa një jetë e tërë.”, tha ai.
Ky artikull është bazuar në dëshminë e Martin Lekës dhënë në Emisionin Esencë me Eljan Taninin, ku qëllimi i tij është të sjellë një pasqyrë të qartë mbi një çast kyç të historisë shqiptare dhe fillimit të demokracisë së dhunshme në Shqipëri/Report TV