Nga data 21 prill deri më 23 maj 2025 do të zhvillohet edicioni i tretë i Sondazhit Kombëtar të Studentëve, një iniciativë e rëndësishme që synon të dëgjojë dhe të pasqyrojë zërin e studentëve mbi cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Ky sondazh është një instrument i vyer për të vlerësuar progresin e bërë në fushën e arsimit të lartë dhe për të identifikuar fushat që kërkojnë përmirësim.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me studentë në Akademinë e Arteve ku ishin të pranishëm Prof.Dr. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës dhe Xhiliola Bixheku, Drejtore e Përgjithshme e ASCAL, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së studentëve në këtë proces:

“Zëri i studentëve është më i rëndësishmi kur flasim për përmirësimin e politikave në arsimin e lartë, sepse na japin një pasqyrë të qartë për cilësinë e universiteteve, cilësinë e stafit akademik, përfshirjen e studentëve në proceset vendimmarrëse të universitetit, dhe për ato që ne duhet të bëjmë më shumë për sa i përket investimeve, qoftë në infrastrukturën universitare apo të kërkimit shkencor. Ky sondazh është një instrument që është një ekzigjencë e çdo institucioni politikbërës për ta pasur si udhërrëfyes për të hartuar programe që mbështesin këto komponentë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu

Përgjatë dhjetë viteve të fundit, qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të arsimit të lartë. Institucionet e arsimit të lartë sot gëzojnë autonomi financiare dhe akademike, ndërkohë që mbështetja qeveritare për arsimin dhe kërkimin shkencor është dyfishuar. Investimet në infrastrukturën universitare, laboratorët dhe rishikimi i programeve të studimit kanë qenë prioritete kyçe në këtë dekadë të reformave. Në këtë kontekst, Ministrja Manastirliu shtoi:
“Para pak javësh prezantuam një ndër dokumentet më të rëndësishëm për arsimin e lartë Dokumentin e Politikave për Arsimin e Lartë 2030. Ky dokument është bazuar edhe në rezultatet e sondazhit të vitit 2022 të realizuar nga ASCAL. Dhe ky tani është një sondazh i treti në cikël, por që ne besojmë se edhe në sajë të një tjetër hapësire që po i japim këtij sondazhi përmes strukturave që sot janë efektive të studentëve, sikurse është Këshilli Studentor, studentët e zgjedhur në senatet e universiteteve, pra përfshirja e studentëve në organet qeverisëse të universiteteve është një realitet falë autonomisë së universiteteve përmes Ligjit të Arsimit të Lartë, por që ka nevojë të kalojë në një tjetër nivel, që studentët të jenë dhe pjesë e strukturës së ASCAL-it, në Bordin e Akreditimit, pasi është e rëndësishme që në proceset akredituese të jenë dhe përfaqësuesit e studentëve.”, tha Manastirliu.

Rezultatet e Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2022 treguan një rritje të perceptimit pozitiv për arsimin e lartë, krahasuar me vitin 2019.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij sondazhi është vlerësimi i mësimdhënies dhe përgatitjes së pedagogëve për të adresuar sfidat që lidhen me cilësinë e metodave mësimore, materialeve didaktike dhe aksesueshmërisë së arsimit të lartë për të gjitha kategoritë sociale.
Për më tepër, pjesëmarrja studentore në këtë proces është kyçe për të kuptuar nevojat e tyre dhe për të adresuar çështje të tilla si kostot e jetesës, tarifat e shkollimit, mundësitë për punësim dhe mbështetja financiare për studentët në nevojë. Ministrja Manastirliu dhe se aktualisht, rreth 50 mijë studentë kanë përfituar nga skema e mbështetjes përmes heqjes ose reduktimit të tarifave të shkollimit, mbulimit të kostove si dhe bursave.
“Përfshirja e studentëve në zhvillimin e arsimit të lartë mbetet prioritet për ne. Përmes mbështetjes studentore, ne mbështesim rreth 50 mijë studentë përmes bursave direkte, me tarifa të reduktuara ose tarifa zero për programet e studimit, përmes bursave sa paga minimale për studentët që ndjekin programet prioritare të studimeve. Janë rreth 300 studentë, së bashku me ata ekselentë, të cilët mbështeten nga programi i bursave për programet prioritare.”
Pjesëmarrja në këtë sondazh është një mundësi e jashtëzakonshme për studentët për të ndikuar në politikat arsimore dhe për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë efektive në proceset vendimmarrëse. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inkurajoi të gjithë studentët që të marrin pjesë në Sondazhin Kombëtar të Studentëve 2025 dhe të kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të arsimit të lartë në Shqipëri.