Fjala e Presidentit Donald Trump para një seance të Kongresit sot në mbrëmje do të shërbejë si një vazhdim – dhe shpjegim – i ndryshimeve të shpejta që ai ka sjellë në vetëm 44 ditët e mandatit të tij të ri. Ai do të përballet me audiencën e tij më të madhe deri tani, ndërsa kërkon që republikanët në Kongres, të cilët kanë shumica të ngushta, ta kthejnë axhendën e tij në ligj – një rezultat që do të luajë një rol kyç në përcaktimin e suksesit të presidencës së tij.

Republikanët kryesisht janë rreshtuar pas presidentit, por kanë filluar të shfaqen çarje në unitetin e partisë për disa nga veprimet e administratës për shkurtimin e shërbimeve qeveritare dhe për retorikën e fundit të Trump ndaj Ukrainës. Të hënën në mbrëmje, Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, një veprim që mund të shkaktojë shqetësime në disa qarqe të Partisë Republikane, edhe pse shumë republikanë e kanë lavdëruar Trump për përballjen e tij javën e kaluar në Zyrën Ovale me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Fjala e Trump-it po ndodh gjithashtu në të njëjtën ditë kur tarifat kundër Meksikës dhe Kanadasë pritet të hyjnë në fuqi – një premtim që shkaktoi rënie të aksioneve të hënën dhe ngriti shqetësime mes disa senatorëve republikanë për ndikimin që mund të ketë në shtetet e tyre.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën në mbrëmje se tema e fjalimit do të jetë “Rinovimi i Ëndrrës Amerikane.”

“Nesër mbrëma do të jetë e madhe,” shkroi Trump të hënën në rrjetet sociale. “Do ta them ashtu siç është.”

Ja çfarë duhet ndjekur gjatë fjalimit të parë të Trump-it para Kongresit në administratën e tij të re:

Ai do të përpiqet të përmbushë premtimet e fushatës – por a do të ketë detaje specifike?

Pasi u bë republikani i parë në dy dekada që fiton votën popullore, Trump tani përballet me presionin për të përmbushur premtimet e fushatës, si ulja e çmimeve.

Partia e tij ka kontroll të plotë mbi Kongresin, por duke pasur parasysh sa shpejt mund të ndryshojnë rrymat politike në Uashington, këshilltarët e Trump-it e kanë bërë shpejtësinë përparësinë e tyre në shtyrjen përpara të agjendës së tij – duke synuar periudhën dyvjeçare para zgjedhjeve afatmesme të vitit 2026.

Vetë Trump ka nxjerrë një mësim nga mandati i tij i parë – ai nuk po pret momentin e përsosur për të realizuar premtimet e tij. Në vend të kësaj, ai nënshkruan urdhra ekzekutivë pothuajse çdo ditë, ndonjëherë duke vendosur vetëm disa minuta përpara se cilin urdhër të firmosë.

Një këshilltar i Trump-it tha se një nga qëllimet e fjalimit të presidentit do të jetë lidhja e vendimeve të tij të hershme me jetën e amerikanëve të zakonshëm. Trump ka të ngjarë të trajtojë planin e tij për të ulur çmimet, megjithëse detajet specifike të fjalimit ende po përpunoheshin të hënën.

Shpjegimi i ndryshimeve të shpejta dhe dramatike

Që kur mori detyrën për herë të dytë, Trump ka mbikëqyrur një ndryshim të madh në qeverinë federale, kryesisht nën drejtimin e Departamentit të Efiçiencës Qeveritare dhe Elon Musk.

Njeriu më i pasur në botë, i cili është shfaqur si një nga këshilltarët më të dukshëm dhe me ndikim të Trump-it, do të jetë i pranishëm në sallën e Dhomës për fjalimin, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN, dhe do të paraqitet si një shembull kryesor i veprimit të shpejtë të administratës për të ndryshuar Uashingtonin.

Agjenci të tëra – të cilat dikur dërgonin prioritetet e tyre në Shtëpinë e Bardhë për t’u përfshirë në fjalim – janë shkatërruar në epokën e re të Trump-it. Dhjetëra mijëra punonjës federalë kanë humbur vendet e tyre të punës.

Jo të gjithë republikanët janë plotësisht dakord. Disa ligjvënës janë përballur me një lumë telefonatash nga votuesit e tyre dhe me qytetarë të zemëruar në takimet publike për shkurtimet dramatike në qeverinë federale.

Bashkimi i Kongresit Republikan pas agjendës së tij

Fjala e presidentit vjen mes mosmarrëveshjeve midis republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mbi mënyrën e miratimit të një buxheti që synon uljen e shpenzimeve, mbrojtjen e Sigurimeve Shoqërore dhe bërjen të përhershme të uljeve tatimore nga mandati i parë i Trump-it.

Këshilltarët thonë se ai synon të bashkojë republikanët rreth agjendës së tij, pa ofruar udhëzime të qarta mbi mënyrën e realizimit të saj.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili do të qëndrojë pas shpatullës së majtë të Trump-it, është treguar më se i gatshëm të mbështesë vendimet e presidentit.

“Nuk ka asnjë ndarje mes republikanëve të Dhomës dhe republikanëve të Senatit,” tha Johnson për CNN. “Të gjithë kemi të njëjtën ide dhe mision: të zbatojmë agjendën ‘America First’.”

Sa do të fokusohet ai në politikën e jashtme?

Një zyrtar tha për CNN se fjala e Trump-it do të përqendrohet kryesisht në agjendën e tij të brendshme, ku ai do të paraqesë propozimet kryesore të politikës për katër vitet e ardhshme.

Megjithatë, një nga pikat kryesore të interesit është mënyra se si ai do të trajtojë luftërat jashtë vendit, veçanërisht konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës – dhe sa i ashpër do të jetë qëndrimi i tij ndaj Ukrainës pas pezullimit të ndihmës.

Trump ka refuzuar qasjen tradicionale të politikës së jashtme amerikane, duke u përpjekur të arrijë marrëveshje të reja me vende si Rusia – ndërsa aleatë të tjerë si Ukraina kanë mbetur në një pozitë të pasigurt. Ambasadorët e huaj, të cilët zakonisht ndjekin fjalimin, janë duke u përpjekur të shpjegojnë këto ndryshime në kryeqytetet e tyre.

Vetëm një vit më parë, administrata Biden tentoi të sillte Olena Zelenska, bashkëshorten e presidentit ukrainas, në Uashington si e ftuar për fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit në vitin 2024. Fjalimi i Trump-it vjen katër ditë pasi ai kritikoi ashpër bashkëshortin e saj, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale.

Një ditë para fjalimit, Trump u pyet nëse ai mendonte se marrëveshja e mineraleve me Ukrainën kishte dështuar dhe u përgjigj:

“Epo, do t’ju njoftoj. Po mbajmë një fjalim, ndoshta keni dëgjuar për të, nesër në mbrëmje, kështu që do t’ju njoftoj nesër,” tha ai të hënën.

Si do të reagojnë demokratët?

Në vitin 2020, rivalët e Trump-it ndiheshin të fuqizuar. Pas fjalimit të tij atë vit, atëherë-Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, u pa në kamera duke grisur një kopje të fjalimit të tij.

Pyetja këtë vit është si do të reagojnë demokratët në sallë. Liderët e partisë ende po përpiqen të përcaktojnë një mesazh dhe një strategji për t’u shfaqur si kundërpeshë ndaj Trump-it, duke pasur parasysh humbjen e madhe që pësuan në zgjedhjet e nëntorit.

Demokratët kanë zgjedhur senatoren e re Elissa Slotkin nga Miçigani për të dhënë përgjigjen zyrtare – një detyrë, që mund të ndihmojë në ngritjen e profilit të një politikani të ri. Ish-anëtare e CIA-s dhe deputete në Dhomën e Përfaqësuesve, Slotkin fitoi në Miçigan vitin e kaluar në të njëjtën kohë që Trump e fitoi atë shtet.

Momente të krijuara për televizion

Duke qenë mjeshtër i spektaklit televiziv, Trump ka përdorur gjithmonë elementin e surprizës në fjalimet e tij para Kongresit.

Ndërsa ekipi i tij i fjalimeve ka punuar me disa versione, ndihmësit thanë të hënën se Trump ka kaluar pak kohë duke u marrë me detajet e tij – përveç disa momenteve teatrale të dizajnuara për të pasur ndikim te audienca në televizion dhe në sallën e Kongresit.

Ndryshe nga mandati i tij i parë, ku këshilltari kryesor Stephen Miller kishte rolin kryesor në hartimin e fjalimeve, këtë herë detyra i është lënë shkrimtarëve të tjerë. Megjithatë, ai dhe ndihmësit kryesorë të Trump-it do të marrin pjesë në redaktimet përfundimtare deri në mbrëmjen e së martës.

Trump pritet të mbajë një fjalim triumfues, duke lavdëruar fitoren e tij në zgjedhje – një fitore që, sipas tij, i dha atij mandatin për të ndërmarrë ndryshime të mëdha, pavarësisht diferencës relativisht të vogël në vota – si dhe duke vlerësuar ato që një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i quajti “sukseset dhe arritjet” e tij gjatë gjashtë javëve të para në detyrë.