Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, e cila zhvillohet në Strasburg, Francë, në datat 20-21 mars.
Znj. Spiropali mbajti një fjalë në sesionin e parë plenar “Mbrojtja e Demokracisë”, e cila iu kushtua përpjekjeve të shteteve anëtare për të mbrojtur vlerat dhe konsoliduar institucionet demokratike.
Në fjalën e saj, Kryetarja Spiropali nënvizoi: “Demokracia nuk dobësohet brenda natës, dhe as nuk mbetet e fortë pa përpjekje. Nëpër Evropë tablotë politike po ndryshojnë, besimi tek institucionet po testohet dhe forcat e jashtme kërkojnë të manipulojnë opinionin publik.
Rradhë herë ndodh që këto ndryshime të njoftohen qartësisht; ato shpalosen gradualisht, duke riformatuar normat, duke ndikuar tek qeverisja dhe duke sfiduar themelet ku ne mbështetemi. Shqipëria e ka përjetuar në vetë të parë sa e brishtë dhe njëkohësisht sa e fortë mund të jetë Demokracia.
30 vite më parë, kur Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Europës, pas një izolimi absolut, demokracia për shqiptarët ishte ende vetëm një ideal, sundimi i ligjit sapo kishte nisur të zëvendësonte partinë-shtet dhe partinë-ligj, dhe të drejtat e njeriut, sidomos ato politike, fetare e të pronës kishin filluar të shndërroheshin në një aspiratë për qytetarët.
Shqipëria, 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka arritur para portave të Bashkimit Europian, me arritje thelbësore e të prekshme në tre shtyllat krysore të organizatës të madhe europiane. Vendimi i Asamblesë Parlamentare i prillit 2024 për të nxjerrë Shqipërinë nga procedura e monitorimit të plotë, është një konfirmim i arritjeve tona.
Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Europian. Vendimi i Parlamentit Europian për hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një rikonfirmim i faktit se Shqipëria është jo vetëm vendi kandidat me vizionin më të qartë, shpejtësinë më të lartë dhe vendosmërinë më të madhe drejt familjes europiane, por është edhe një qendër dhe lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin europian të vendeve të rajonit.
Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Europian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Europës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejatve të njeriut, lirinë e medias etj.
Kuvendi i Shqipërisë mbetet i palëkundur në lidershipin, garantimin e legjitimitetit demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit të integrimit europian, në avancimin dhe thellimin e refomave, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë dhe të pavarësisë së tyre dhe mbrojtjen e vlerave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Ajo demokraci që dështon të mbajë balancën institucionale, rrezikon të humbasë aftësinë për ti shërbyer popullit të vet.
Kur parlamentet luftojnë për të ushtruar kontrollin, kur kontrollet dhe balancat nisin të dobësohen, qeverisja largohet nga qëllimi i saj thelbësor. Roli i organeve legjislative qëndron shumë përtej miratimit të ligjeve; roli i tyre qëndron tek aftësia e tyre për të bërë pyetje, për të sfiduar dhe për të bërë qeveritë që të jenë llogaridhënëse. Në Shqipëri janë ndërmarrë hapa për të forcuar mbikqyrjen parlamentare, duke garantuar që institucionet të punojnë me njëri tjetrin, dhe jo kundra njëri tjetrit.
Kuvendi ka ngritur kohët e fundit dy komisione të posaçme: Komisionin për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe Komisionin për mbrojtjen e demokracisë nga dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në procesin demokratik.
Megjithatë, institucionet të vetme nuk mund ta mbështesin demokracinë. Ligjet mund të drejtojnë shoqëritë, por besimi i publikut përcakton legjitimitetin e tyre. Shqipëria është përpjekur që vendim-marrjen ta afrojë tek njerëzit, duke hapur kanale të reja për angazhim dhe duke ushqyer një kulturë politike që nxit pjesëmarrjen përtej cikleve zgjedhore.
Një sistem që dëgjon ka shumë më tepër mundësi të zgjasë. Angazhimi publik varet jo vetëm nga aksesi, por nga ndërgjegjësimi.
Individët pa aftësinë për ta vlerësuar informacionin në mënyrë kritike bëhen më vulnerabël ndaj manipulimit, dhe debati publik humbet mbështetjen e tij tek diskursi i arsyetuar. Shqipëria ka zgjeruar përpjekjet për edukim të medias, jo si një nismë akademike, por si një përgjigje praktike ndaj një bote ku keqinformimi mund të shtrembërojë realitetin.
Këshilli i Europës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Europës, Kosovës. Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova. Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Europës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj Konference.
Demokracitë në vendet tona nuk mund të lulëzojnë në mënyrë të qëndrueshme ndërkohë që sulmohen liria, sovraniteti dhe integriteti i kombeve. Prandaj mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën kundër agresionit të Rusisë nuk është vetëm një kontribut për paqen e sigurinë, por edhe për mbrojtjen e vlerave dhe sistemin demokratik në vendet tona.”