Nga Skënder Minxhozi/
Kjo fushatë elektorale ka prodhuar një zgjatim toksik të qëndrimeve që pasuan zgjedhjet e fundit amerikane nëntorin e shkuar. Opozita kryesore e udhëhequr nga Berisha i ka përtypur keq dhe me kundërshti deklaratat pozitive të Brukselit në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një ditë më parë kreu i opozitës deklaroi se Bashkimi Evropian aprovoi me heshtje krijimin e narkodiktaturës në Shqipëri. Është hera e parë që Berisha shprehet açik dhe kaq ashpër ndaj BE dhe kjo vjen vetëm pak orë pasi komisionerja e zgjerimit Marta Kos u shpreh se negociatat e BE me Tiranën do të mbyllen brenda vitit 2027. Një afat i pashpresuar për ne dhe një surprizë e mirëfilltë në planet e Unionit për zgjerim.
Në anën tjetër kryeministri Edi Rama e ka bërë pasaportën evropiane objektin bazë të fushatës së tij elektorale. Rama duket se e ka përzgjedhur integrimin si kalin e betejës për zgjedhjet e 11 majit, në një mjedis i cili prej dekadash ka konsumuar shumë retorikë evropiane, por që realisht ka qenë i bllokuar në një proces milimetrik avancimi drejt Brukselit.
Shqipëria ndodhet aktualisht në një korsi më të avancuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, çka konsiderohej thjesht utopike vetëm një apo dy vite më parë! Ndryshimi i situatës gjeopolitike në Evropë dhe disa zhvillime pozitive në Shqipëri, si fillimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë apo edhe hapja e vendit dhe roli i tij stabilizues në Ballkan, kanë bërë që vendet anëtare të premtojnë qilimin e kuq drejt derës së anëtarësimit për shqiptarët në një të ardhme jo të largët. E cila sipas Ramës tashmë ka edhe një datë: brenda vitit 2030!
Kësisoj vendi ynë mund ta gjejë veten në pozitën surreale të anëtarësimit në Union për arsye kryesisht gjeopolitike që lidhen me luftën në Ukrainë dhe të stabilitetit rajonal ku Tirana ka qenë një aktor kyç.
Hymë në NATO në vitin 2009 pa ushtri, mund të hyjmë në Bashkimin Evropian edhe pa pasur një ekonomi dhe shtet ligjor të krahasueshëm me 27 vendet anëtare. Kjo është alkimia e çuditshme me të cilën po përballemi këto kohë në raport me evropianët dhe të cilën Edi Rama duket se kërkon ta kapë në ajër për të shkuar drejt një fitoreje të katërt rresht në zgjedhjet parlamentare.
Opozita, nga ana e saj e përjeton këtë proces në mes të fushatës, ashtu siç e ka përjetuar çdo opozitë shqiptare në kushte identike: si një kërcënim për shanset e saj të fitores në zgjedhje. Berisha e ndjen veten të tërhequr pa dashje në një subjekt i cili po imponohet me insistim nga Rama, duke anashkaluar debatin për korrupsionin dhe keqqeverisjen. Dhe në kushtet kur në media mungon tradicionalisht përballja dhe debati i drejtpërdrejtë i palëve, kjo lojë ping-pongu në distancë përcaktohet nga fuqia e secilës palë për të udhëhequr axhendën elektorale në shtyp dhe rrjetet sociale.
Rama ka kapur saktë në këtë fushatë atë që është lajmi më i rëndësishëm për shqiptarët. Dhe që konsiston në kthimin e procesit të integrimit evropian për dekada të tëra nga retorikë e propogandë gjysëm boshe, në një avancim konkret dhe të prekshëm që ofron më në fund një perspektivë të identifikueshme kohore hyrjeje në Bashkimin Evropian. Cilido politikan e shtetar që do të hynte në këto kushte në një fushatë elektorale, do të vepronte njëlloj si kryeministri shqiptar, aq më tepër që kjo përbën karrotën në një situatë ku shkopi përfaqësohet nga hetimet e shumta për drejtuesit politikë pranë tij.
Përtej fushatës zgjedhore, tema e integrimit po nis të tregojë një anë tjetër të saj: atë të detyrimeve dhe standarteve. Nëse 14 vjet më parë kur u liberalizuan vizat, ne e konceptonim Evropën më shumë si një hapësirë ku mund të shkoje pa mbajtur radhë të rruga e ambasadave, sot po ndeshemi gradualisht me detyrimet që rrjedhin nga afrimi me tregun dhe institucionet evropiane. Fermerët duhet të ofrojnë fruta e perime më cilësore, fasonët dhe prodhuesit e tjerë të industrive ushqimore apo edhe shërbimeve duhet të ngrenë standartin e punës dhe të produkteve finale. Shteti duhet të rishohë ligjet dhe aktet e tjera mbi të cilat funksionon, infrastrukturat, biznesin e vogël dhe të madh, arsimin dhe fushat e tjera të aktivitetit njerëzor të cilat tashmë po fillojnë të përballen me Europën e tabelave dhe rregulloreve.
Nëse e konsiderojmë në këtë prizëm, debati elektoral në lidhje me një pasaportë për momentin të ndërtuar grafikisht në kompjuter, duhet të fillojë të zgjerohet dhe të okupojë të gjithë hapësirën politike në vend. Integrimi po afrohet gradualisht si sfida më e vështirë e shtetndërtimit në historinë tonë të vjetër dhe të re, kurse politikanët e Tiranës shohin vetëm deri në 11 maj dhe sherrosen për një karton me yjet e Evropës mbi të.
Kompleksi i Berishës në lidhje me fushatën e Ramës me pasaportën evropiane nuk ka të bëjë vetëm me garën e majit. Ai ka të bëjë me faktin se ish-kryeministri vijon ta shohë veten jashtë çdo formati bashkëpunimi dhe komunikimi me perëndimorët. Amerika s’po i heq statusin non grata, Britania e Madhe gjithashtu, kurse evropianët mbajnë një komunikim të ngushtë dhe partneritet të plotë me Edi Ramën. Ky është halli real i Berishës në lidhje me BE, të cilin nuk e mbush dot as Doris Spak as disa ambasadorë periferikë në Tiranë të cilët e ftojnë dhe e begenisin. Madje-madje këtë hall nuk e kompensojnë dot as sherifët e Uashingtonit që nuk po duken apo rrufetë mbi Ramën nga Donald Trump që nuk po shfaqen askund në horizont.
Zgjedhjet do të vijnë e do të ikin. Ai që do mbetet është procesi i afrimit me BE, më seriozi e afatgjati për ne si shtet, megjithë efektet thellësisht transformuese që pritet të sjellë. Loja e vogël e zgjedhjeve do duket edhe një herë meskine dhe kalimtare, sepse qysh në krye të herës, në vitin e largët 1991 destinacioni ka qenë Evropa, jo kuajt e kësaj apo asaj gare elektorale. Në këtë pikë Berisha e ka të humbur sherrin me evropianët, ashtu siç e pati dhe e ka ende të humbur me amerikanët dhe britanikët.