Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një shtetas rreth 31 vjeç, identifikuar si Sodiq Atanda, është goditur me një mjet preres dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës për trajtim mjekësor. Sipas burimeve nga spitali, i riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin e nevojshëm për lëndimet që ka pësuar.
Sodiq Atanda, i cili ka shtetësi të huaj dhe është një lojtar i njohur i ekipit të futbollit Flamurtari, ka qenë objekt i një sulmi të dhunshëm. Burimet fillestare nga hetimet kanë thënë se i riu është sulmuar gjatë një përpjekjeje për grabitje në rrugë. Dyshohet se agresorët kanë tentuar ta grabisin.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë akt kriminal. Hetuesit po shqyrtojnë kamerat e sigurisë dhe dëshmitë për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.