I dërrmuar nga lufta civile, e tani edhe nga tërmeti shkatërrimtar i magnitudës 7.7, Mianmari numëron të vdekurit.
Mbi 1.000 është deri tani bilanci paraprak i jetëve të humbura nga lëkundjet e fuqishme të tokës, por frika është se shifra reale mund të mbërrijë në mijëra.
Mianmari, i njohur më parë si Burma, ishte i përfshirë tashmë nga trazirat të cilat nuk kanë reshtur që kur ushtria mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi më 1 shkurt 2021, duke ngjallur një indinjatë opozitë të gjerë popullore. Pasi demonstratat paqësore u shtypën me dhunë, shumë kundërshtarë të juntës ushtarake rrëmbyen armët, e pjesë të mëdha të vendit tani të përfshira në konflikt. Para se të godiste tërmeti, Kombet e Bashkuara vlerësonin se qindra mijëra civilë ishin zhvendosur nga luftimet e brendshme, dhe rreth 18.6 milionë kishin nevojë për ndihmë humanitare. Liderët ushtarakë lëshuan tani një thirrje të rrallë për ndihmë ndërkombëtare, së cilës iu përgjigjën të parat Kina e India. Në qytetin e dytë më të madh, Mandalay, ku ndodhej dhe epiqendra e tërmetit, punonjësit e shpëtimit po përpiqen me cdo mënyrë të shpëtojnë njerëzit e mbetur nën gërmadha, por nuk e kanë të lehtë.