Misteri rreth vdekjes së Gene Hackman dhe gruas së tij Betsy Arakawa ende nuk është zbardhur, pasi Policia është ende të pritje të rezultatit të autopsisë dhe raportit toksikologjik. Mirëpo, çështja është aq e komplikuar, saqë në zbardhjen e saj janë përfshirë edhe ekspertë që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në hetim, por përvoja e tyre është kërkuar për të marrë përgjigje.
Gene Hackman, i cili ishte 95 vjeç dhe Betsy Arakawa, 12 vjet më e re se tij, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, Nju Meksiko. Duke qenë se autoritetet e kanë përjashtuar mundësinë e një rrjedhjeje gazi që i vrau të dy, një ekspert mjekësor ka paraqitur një teori tjetër – se Betsy mund të ketë vdekur nga një “zemër e thyer”.
Dr. James Gill, kryeekzaminuesi mjekësor i Konektikatit, shpjegoi për revistën “People” mundësinë që Arakawa mund ta kishte gjetur burrin e saj të vdekur dhe, për shkak të tronditjes, ka pësuar një sulm në zemër. Bazuar në informacionin e disponueshëm, mjeku beson se të dy vdiqën për shkaqe natyrale.
Rrethanat e pazakonta të vdekjes
Heckman dhe Arakawa u gjetën në dhoma të ndryshme – ai në hollin e shtëpisë, ndërsa ajo ishte e shtrirë në dyshemenë e banjës. Sherifi i kontesë Santa Fe, Adam Mendoza zbuloi se stimuluesi i ritmit të zemrës së Hackman regjistroi për herë të fundit një rrahje zemre më 17 shkurt, 9 ditë para se të gjendeshin trupat.
Por Dr. Gill ka edhe një version tjetër! Ai thotë se Arakawa mund të ketë qenë e para që pësoi një krizë shëndetësore, dhe Hackman, ndërsa përpiqej ta ndihmonte atë, vdiq vetë për shkak të stresit dhe problemeve të tij me zemrën.
“Nëse ajo ka ndërruar jetë e para, ai mund të jetë përpjekur që të dalë nga shtëpia për të kërkuar ndihmë apo për të marrë ambulancën ën telefon. Por ka pësuar edhe vetë atak në zemër. Të dyja teoritë janë njësoj të mundshme,”-shpjegoi mjeku, siç raportohet nga Daily Mail .
Policia zbuloi se fituesi i çmimit Oscar u gjet në dysheme me bastunin e tij, ç’ka tregon se ai ishte rrëzuar.
“Ai kishte një histori të sëmundjeve të zemrës dhe kishte në trup një stimulues kardiak, kështu që nuk do të qe e pazakontë që ai të kishtë pësuar një atak në zemër. Ka raste kur stresi ekstrem mund të shkaktojë një përgjigje adrenaline që përshpejton ritmin e zemrës dhe çon në aritmi fatale,”-shtoi mjeku.
Çfarë ndodhi me qentë e tyre?
Një detaj tjetër që ka ngjallur dyshime është ngordhja e qenit të tyre, Zina. Qeni ishte i mbyllur pranë tualetit. Dy qentë e tjerë – një pastor gjerman i quajtur Bear dhe një akita i quajtur Nikita ishin gjallë dhe tani po mbahen nga miqtë e familjes. Dr. Gill tha se Zina ka të ngjarë të ketë vdekur nga uria dhe etja, pasi qentë mund të mbijetojnë pa ushqim dhe ujë vetëm për rreth një javë.
Edhe pse janë paraqitur teori të shumta – nga vdekja natyrale dhe “thyerja e zemrës” deri te një mbidozë e mundshme me ilaçe– e vërteta për aktorin legjendar dhe momentet e fundit të gruas së tij mund të mos dihet edhe për pak kohë.