Tirana e këtij sezoni është një dështim spektakolar. Edhe nëse arrin të marrë 18 pikët e mbetura në kampionat, ajo sërish nuk prek nivelin e sezonit të shkuar.
Skuadra vjet grumbulloi 50 pikë në 36 javë dhe u rendit e pesta, por shkoi në Europë, pasi Skënderbeu nuk kishte licencë për të luajtur në kompeticionet ndërkombëtare. Këtë sezon, në rastin më të mirë, bardheblutë mbledhin 49 pikë. Me një krahasim të vogël, ekipi bën më keq se një kampionat më parë, ndërsa në javën e 30-të të sezonit të shkuar, Tirana kishte 40 pikë. Këtë vit, bardheblutë kanë 31 pikë. Pra, nëntë pikë më pak se vjet. Një gjendje delikate. Dhe të thuash se presidenti Refik Halili me kthimin e Shkëmbit në pankinë i kishte vendosur objektiva të qartë skuadrës. Kërkonte që ekipi të ishte në “Final 4”.
KUNDËRSHTARI – Pas Kombëtares, Tirana do të luajë menjëherë me Bylisin, në duelin direkt për mbijetesë. Tabloja e bardhebluve këtë sezon ndaj këtij kundërshtari është me ulje e ngritje. Në kampionat ka marrë shtatë pikë, duke fituar dy herë, barazuar një tjetër. Problemi qëndron tek eliminimi nga Kupa e Shqipërisë. Një ndeshje e hapur, por plusi është që takimi mund të luhet në “Arena Kombëtare”. Bardheblutë kanë marrë mesatarisht 2.3 pikë ndaj këtij kundërshtari dhe shanset janë të mëdha që të fitojnë edhe në këtë lojë të fundit. Ian Soleri për momentin është dyshimi i madh për Tiranën, nëse do të jetë apo jo në sfidën me Bylisin. Gjithsesi, bardheblutë kanë disa mungesa për këtë lojë. Tashmë dihet që jashtë kanë mbetur dy titullarë të tjerë. Bëhet fjalë për Ermal Metën dhe Qëndrim Ismajlin.
Dyshja e ka humbur sezonin dhe Shkëmbi po bën pa ta. Numrit të të dëmtuarve në këtë ndeshje me Bylisin i shtohet edhe argjentinasi Luçiano Vera. Ky i fundit, në Rrogozhinë u ndëshkua me kartonin e kuq dhe do të mungojë në këtë sfidë. Shkëmbi për takimin me Bylisin pritet të bëjë disa modifikime në formacion. Edhe një herë tjetër do të shihet mundësia që Ndreca të luajë si mesfushor i djathtë, ndonëse gati është edhe Abah. Pjesa tjetër e ekipit nuk është se do të ndryshojë shumë nga sfida e fundit kundër Egnatias. Rafael pritet të jetë gati për takimin e së mërkurës dhe, nëse braziliani kthehet, do të jetë një plus i madh për ekipin bardheblu.