Dy vajza humbën jetën pas lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc, në komunën e Ranillugut, Kosovë. Një tjetër person ka marrë lëndime, por ka shpëtuar.
Fillimisht, aksidenti u raportua si vetëaksident, por pas analizimit të kamerave të sigurisë nga policia, u zbulua se ishte një aksident i përfshirë mes një automjeti dhe një kamioni.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një kthimi të pasigurt nga ana e drejtuesit të kamionit.
Sipas Hashanit, hetimet kanë treguar se manovra e kamionit ka penguar lëvizjen e automjetit që ishte në proces të tejkalimit, duke shkaktuar humbjen e kontrollit nga ana e shoferes së veturës.
Vajzat që vdiqën janë Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi të cilat ishin studente në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Universiteti ka reaguar përmes një mesazhi ngushëllimi:
Telegram ngushëllimi për familjen Basha dhe Thaqi
E nderuar Familje Basha, Familje Thaqi,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të studenteve të Fakultetit të Edukimit, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ndan dhimbjen me familjet tuaja, të afërmit, kolegët dhe miqtë për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme.
Arbnora Basha, studente e dalluar dhe Kryetare e Këshillit të Fakultetit të Edukimit, la pas vetes një trashëgimi të angazhimit, përkushtimit dhe shembullit të një studenteje të përkushtuar. Po ashtu, humbja e Antiana Thaqit ka lënë një boshllëk të madh në mesin e komunitetit akademik dhe kolegëve të saj.
Arbnora dhe Antiana do të mbeten në mendjen dhe kujtesën tonë, si vajza të zgjuar dhe studente të dalluara, me të gjitha tiparet.
Kjo humbje e madhe, la në gjysmë ëndrrën e tyre për rrugëtimin që kishin nisur.
Kjo tragjedi e rëndë na ka prekur të gjithëve dhe na ka lënë pa fjalë. Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe ëndrrat e tyre të papërmbushura.
Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe në emrin tim personal, ju përcjellim ngushëllimet dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira.
Ju lutem t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta.