Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se ekziston mundësia që Ukraina “mund të mos mbijetojë” një luftë kundër Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për Kievin në luftë.

Në një intervistë për Fox News, ai tha se SHBA ka “dobësi të caktuara” kur bëhet fjalë për Rusinë.

I pyetur për të komentuar kritikët që pretendojnë se ai po lehtëson presionin politik ndaj Rusisë, presidenti amerikan tha se “askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se Donald Trump”. Trump ka refuzuar të përjashtojë mundësinë që ekonomia amerikane të hyjë në recesion këtë vit dhe inflacioni të rritet pasi politikat e tij tarifore tregtare shkaktojnë pasiguri dhe turbulenca të tregut. Ai parashikoi se arritja e qëllimeve të tij ekonomike do të kërkonte kohë dhe një periudhë tranzicioni derisa të arriheshin rezultatet. “Ka një periudhë tranzicioni, sepse ajo që po bëjmë është shumë e madhe. Ne po e kthejmë pasurinë në Amerikë dhe kjo është një gjë e madhe. Duhet pak kohë, por mendoj se do të jetë e mrekullueshme për ne”, tha Trump.

Javën e kaluar, Rezerva Federale e Atlantës sugjeroi se ekonomia amerikane ishte në rrugën e duhur për t’u tkurrur në tremujorin e parë, duke nxitur frikën se ekonomia më e madhe në botë mund të hynte në recesion nëse dobësia vazhdon. Edhe pse Trump pretendoi në mediat sociale në vitin 2018 se luftërat tregtare ishin një gjë e mirë dhe e lehtë për t’u fituar, dje ai ishte i kujdesshëm nëse një politikë e tillë do të sillte rezultate të shpejta në ekonominë amerikane dhe financat e qytetarëve të zakonshëm, sipas Guardian.