Lulzim Basha i është përgjigjur sërish me ironi kryeministrit Edi Rama dhe kësaj radhe i rikujton se si ministër i Jashtëm “duke flejt gjumë” futi Shqipërinë në NATO dhe hoqi vizat me Bashkimin Europian. Reagimi i Bashës vjen pasi nga Gjirokastra, Rama tha se PS është e vetmja forcë politike që mund të integrojë Shqipërinë, ndërsa shtoi me ironi se mund t’ia kishin lënë ‘Lulit’ bisedimet me BE, por e zë gjumi rrugës.
Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatalntik, më tej pyet kryeministrin se çfarë ka arritur 12 vite, përveçse çoi shokët Erion Veliajn, Ilir Beqajn, Sajmir Tahirin, Arben Ahmetajn, Lefter Kokën dhe disa kryebashkiakë dhe deputetë në qelitë e burgut. Sipas tij, për Ramën kush nuk vjedh, fle gjum.
Ai vijon më tej duke ironizuar edhe krekosjen e kryeministrit kur thotë se “BE s’ka me kë të flasë përveç tij”. Basha thotë se një homolog i kryeministrit, ku Rama ulet me të në të vetmen tavolinë Euroatlantike që e gjeti gati si ajo e NATO-s, i ka thënë se “në fillim qeshnin me shakatë e Ramës, tani qeshin me Ramën”.
“O Rame, t’u fjet gjum futëm Shqipërinë në NATO, hoqëm vizat me Bashkimin Europian. Kurse ti zgjuar, çfarë arrite? Lali Eri tek vendi, Ilir Beqja tek vendi, Saje Qorin tek vendi, Ben Ahmetaj ka ik për momentin, por gati e ka vendin, Ter Koka tek vendi. Për të mos llogarit pastaj kryebashkiakët dhe deputetët Rame, se për ty kush nuk vjedh fle gjum Rame. Si the “me kë do flasin me Bashkimin Europian”? E mër Ram, e di si më tha një shok i joti kryeministër, ku ulet në të vetmen tavolinë ku ulet Shqipëria Euroatlantike në NATO që e gjete gati. Më tha në fillim qeshim me shakatë e Ramës, tashi qeshin me Ramën. E mor Rame, e mori vesh bota 7×7 = 313-të Rame” – shprehet Basha.