Tuneli i Murrizit në rrugën e Arbrit pritet që të hapet të premten. Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live me ndjekësit, tha se më në fund plasi “syri i keq”, pas problematikave për shkak të gjeologjisë.

“Ky është tuneli i shumëpritur i Murrizit, i cili më në fund u dorëzua mali dhe tuneli do të dorëzohet nesër për të gjithë popullin e Dibrës që mezi e kanë pritur për vite. Dhe që mendoj se e plasi syrin e keq, syri i keq më në fund plasi se te ai tunel na u mblodh energjia negative dhe gjeologjia e atij tuneli ishte tmerr kështu që nesër, tuneli i Murrizit hapet.

Përkon me ditën e verës. Nesër ditë vere nga Elbasani në Dibër e në të gjithë Shqipërinë. Jam i bindur se nëse s’ke shkuar do të zbulosh një copë Shqipërie të mrekullueshme, por ajo që kemi bërë gjatë këtyre viteve, kemi krijuar mundësi për zbulimin e copave të mrekullueshme.”, tha Rama.