Nga Ardit Rada/

Dhe ky është një instinkt i shoqërisë sonë: ne i japim prioritet sensacionit mbi racionalitetin. Ne duam dhunë, skandale dhe ndëshkime spektakolare, dhe sa më shpejt të jetë e mundur; dhe këto i duam më shumë sesa proceset e gjata dhe të mërzitshme të drejtësisë

Fakti që prokuroria gëzon më shumë besim se gjykata, është një simptomë e një populli që nuk kërkon drejtësi, por shpagim. Sepse prokuroria shihet si institucioni që nis ndëshkimin, që akuzon dhe premton “gjak”, ndërsa gjykata, duke zbatuar parimet e drejtësisë, shpesh zhgënjen pritshmërinë e turmës, duke liruar ose dënuar më pak se ç’pritet.

Në fakt, në rastin tonë, pra në Shqipëri, (siç edhe po diskutohet këto ditë nëpër studiot televizive) kur thua SPAK/Prokurori, ke thënë edhe Gjykatë. Por, nuk janë dhe nuk duhet të jenë e njëjta gjë.

Ama, shoqëritë që kërkojnë “drejtësi” të menjëhershme, përmes ndëshkimit publik, rrezikojnë të përfundojnë duke legjitimuar autoritarizmin dhe gjyqet e montuara (kujto rastin Veliaj). Kur drejtësia shndërrohet në spektakël dhe publiku nuk pranon procesin e duhur ligjor, atëherë rrezikojmë që edhe vetë akuzuesit e sotëm të bëhen viktimat e nesërme të një sistemi që nuk kërkon të vërtetën, por vetëm viktima të reja për të mbajtur të kënaqur etjen kolektive për “gjak”.

Në finale, nëse prokuroria është më e besuar se gjykata, kjo tregon një krizë besimi në shtetin e së drejtës. Sepse në një shoqëri të shëndetshme, gjykimi duhet të mbizotërojë mbi akuzën – përndryshe, i hapet rruga arbitraritetit dhe drejtësisë së turmës. Dhe kjo nuk është normale dhe as ajo që presim nga drejtësia e re.