Nga Farangis Najibullah REL

Ushtria ukrainase filloi të rekrutojë 18 deri në 24-vjeçarë, në baza vullnetare, pasi forcat e saj të armatosura janë duke u përballur me mungesa të mëdha në luftën kundër trupave pushtuese ruse.

Në përpjekje për t’i rimbushur radhët e ushtrisë së saj, e cila u varfërua nga tre vjet luftë, Ukraina prezantoi një plan të ri që u hap rrugë të rriturve nën moshën 25 vjeç, t’i bashkohen ushtrisë.

Iniciativa e quajtur “Gjenerata që vendos tani”, ofron stimuj që përfshijnë bonuse prej rreth 24.000 dollarësh, hipoteka të subvencionuara, arsim universitar falas dhe të drejtën për të udhëtuar jashtë vendit pas përfundimit të shërbimit.

Në gjendjen e luftës në të cilën është Ukraina, shumica e burrave të moshës 18 deri në 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga vendi.

Ushtria u ofron të rinjve vullnetarë edhe trajnim intensiv, të drejtën për të zgjedhur se cilës brigadë ushtarake duan t’i bashkohen dhe të drejtën për ta shtyrë mobilizimin edhe për një vit, kur t’i bëjnë 25 vjet.

Kohëzgjatja e shërbimit, sipas kontratave të tilla, është vetëm një vit, por mund të zgjatet në baza vullnetare, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Për krahasim, shumica e ushtarëve të tjerë në Ukrainë pritet të shërbejnë për një kohë të pacaktuar, nëse mbijetojnë.

Disa ditë pas shpalljes së nismës, zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Dmytro Lazutkin, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo ka ngjallur “interes”.

Shumë të rinj, sipas tij, kanë kontaktuar qendrat e rekrutimit ushtarak dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të kërkuar më shumë informacione.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe Ukraina vazhdimisht kishte probleme me mobilizimin e luftëtarëve, mungesën e armëve dhe municioneve, si dhe korrupsionin ushtarak.

Mungesa e luftëtarëve doli në pah edhe gjatë një debati të nxehtë mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si dhe zëvendësit të tij, JD Vance, më 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë.

Trump i tha Zelenskyt se vendi i tij “ka pak ushtarë”, ndërsa Vance tha se autoritetet ukrainase “po i detyrojnë rekrutët të shkojnë në vija të frontit, sepse kanë probleme me fuqinë punëtore”.

Administrata e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, e cila dha dhjetëra miliarda dollarë në mbështetje të Ukrainës, i tha Kievit në nëntor se ai e ka armatimin që i nevojitet, por se i duhet t’i rrisë ndjeshëm nivelet e trupave të tij.

“Ne jemi gjithashtu të gatshëm ta rrisim kapacitetin tonë të trajnimit, nëse ata marrin hapa të duhur për t’i plotësuar radhët e veta”, tha atëkohë Sean Savett, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ukraina u ka rezistuar thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të ulur moshën e detyrueshme të rekrutimit nga 25 në 18 vjeç.

Qeveria e presidentit Volodymyr Zelenskyy ka argumentuar se përfshirja në masë e brezit më të ri në luftë, do ta çonte Ukrainën në krizë demografike në të ardhmen dhe do t’i pengonte aftësitë e saj për të rindërtuar kombin pas përfundimit të luftës.

Nisma e re tashmë i ka zemëruar disa ukrainas.

Oleh Simoroz, aktivist dhe veteran i ushtrisë, e cilësoi planin si “diskriminim” ndaj ushtarëve që nuk kanë të drejtë për përfitime.

“Ne nuk duhet t’i ndajmë njerëzit në ushtri në bazë të moshës së tyre”, shkroi Simoroz në Facebook.

“Hipotekat e përballueshme duhet të jenë të disponueshme për të gjithë shërbyesit. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për arsimin universitar. Pse një rreshter 55-vjeçar, i cili nuk ka arsim universitar dhe shkarkohet nga ushtria pasi është plagosur, duhet të përfundojë në gjendje më të keqe se një 20-vjeçar?”, shtoi ai.

Pasi Rusia nisi pushtimin, “Ukraina kishte pak vështirësi për të gjetur trupa për të mbrojtur vendin”, tha në dhjetor Simon Schlegel, atëkohë analist i lartë për Ukrainën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Megjithatë, rritja e vullnetarizmit, që pasoi pushtimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, dështoi pas tre vjetësh luftë brutale dhe në mungesë të një rruge të qartë drejt fitores për Ukrainën”, shtoi Schlegel.

Mediat ukrainase kanë raportuar për më shumë se 18.000 raste dezertimi nga ushtria në periudhën janar – shtator të vitit të kaluar, ndërsa mijëra të tjerë raportohet se kanë paguar ryshfet për t’u larguar nga vendi.

Shumë ukrainas të tjerë, megjithatë, thonë se do ta mbrojnë vendin e tyre për aq kohë sa duhet.

* Video e luftimeve të njësitit afër Pokrovskut, të cilin u tha se e braktisën 1.700 ushtarë.

Një ushtarak, i cili u identifikua vetëm me emrin e tij Vitaliy, i tha Radios Evropa e Lirë se e mirëpret planin e qeverisë për t’u ofruar stimuj të rinjve për t’iu bashkuar ushtrisë.

Pavarësisht se është 21 vjeç, Vitaliy nuk ka të drejtë në përfitime, sepse u regjistrua përpara se të shpallej iniciativa.

Ai tha se nuk është penduar, sepse paratë nuk e kanë motivuar për të luftuar për vendin e tij.

“Nuk jam i zemëruar. Kam qenë tashmë nëpër pushime dhe kam udhëtuar në vende të huaja. Unë do ta zgjas shërbimin tim ushtarak derisa të arrijmë në përfundimin logjik të kësaj lufte”, tha Vitaliy.