Në Shqipëri festohet Dita e Verës, një festë kjo me origjinë të lashtë. Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone.
Elbasani ka meritën se ka mbajtur “gjallë” për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. Edhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.
Tashmë edhe Tirana ka vite që organizon aktivitet të shumta për këtë ditë si: koncerte, panaire dhe aktivitete të tjera.
Si po festohet Dita e Verës në qytetet e vendit
Nënkryebashkiakja e Elbasanit, Klaudia Krasnika tha për ABC News se bashkia do organizojë aktivitete të shumta. Krasnika shtoi se priten mijëra vizitorë në Elbasan.
“Do të nisim me karnavalet, e më pas me panairin e zejeve. Presim mijëra qytetarë. Aktivitetet që sjellim këtë vit kanë risi. Aktivitetet që kemi promovuar, kanë bërë që qytetarët të zgjedhin Elbasanin. Festimet kanë startuar në 9 mars e do të vijojnë deri më 16 mars”, theksoi ajo.
Dita e Verës në Durrës
Dita e Verës festohet dhe në qytetin e Durrësit. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në rrugë dhe po shijojnë këtë festë simbolike.
Dita e Verës në Lezhë
Edhe Lezha është zgjuar nën atmosferën e festës së Ditës së Verës. Qytetarët kanë dalë së bashku me familjen për të shijuar këtë ditë plot atmosferë.
Festë në Vlorë
Edhe në jug festohet. Qyteti i Vlorës që në orët para të mëngjesit është zbukuruar për Ditën e Verës. Qytetarët janë mbledhur në sheshe dhe rrugë për të festuar dhe uruar njëri-tjetrin në këtë ditë simbolike.
Legjenda e Ditës së Verës
Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera.
Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite. Më parë festohej në Elbasan, tani është bërë festë kombëtare.