Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit të tij të parë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është “parakusht” për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

“Unë theksova pengesat e vazhdueshme që bën Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pas 12 viteve të refuzimit të Prishtinës për ta përmbushur obligimin, është parakusht për fillimin e normalizimit esencial të marrëdhënieve”, ka shkruar presidenti serb të martën.

Ai ka njoftuar se me diplomatin danez ka folur edhe për “situatën e vështirë” në të cilën ka pretenduar se janë serbët në Kosovë për shkak të “lëvizjeve të njëanshme” të Prishtinës, derisa ka deklaruar se pret nga BE-ja të forcojë angazhimin e saj në mënyrë që të ruajë kredibilitetin e dialogut dhe të mbajë një rol të paanshëm në proces.

“Unë përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet përmes kompromiset mund të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Vuçiçi pas takimit të tij me Sorensenin në Beograd.

Ndryshe, në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer funksionalitetin e dialogut, i dërguari i Bashkimit Evropian ka qëndruar javën e kaluar edhe në Prishtinë – në vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës – ku ka takuar udhëheqësit shtetërorë dhe përfaqësuesit e opozitës.