Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është “seriozisht e lëkundur” dhe se Serbia “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”.

Më 10 mars, Vuçiç mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiç tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen”.

Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente.

Vuçiç tha se tema e mbledhjes së Qeverisë ishte edhe ndikimi i bllokadave në Serbi mbi gjendjen e ekonomisë.

“U ndalëm edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi Vuçiç.

Ai shtoi se është arritur një pajtim për marrjen e masave urgjente “për t’i zbutur pasojat dhe për t’’ mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga këto rrethana”.

Me bllokadat dhe protestat prej disa muajsh në Serbi, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të sulmuesve ndaj pjesëmarrësve të protestave të deritashme, si dhe ndërprerjen e procedimeve kundër të arrestuarve në demonstrata.

Qeveria pretendon se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, në një raport, e ka mohuar këtë./ REL