Një rreng i realizuar në “Aldi dhe Ema” (cikël me rrengje) në “Andale Media” ka përfunduar në një situatë të rrezikshme, duke ngritur shqetësime. Në kamerën e fshehtë, tre djem u shtirën si fansa të Gjestit dhe sulmuan Zebervokin për deklaratat e tij kundër këtij të fundit. Në një moment tensioni, Zebervoki nxori armën dhe i kërcënoi, pa e ditur se bëhej fjalë për një rreng. Në atë çast, Ema Zharku ndërhyri për t’i treguar se gjithçka ishte e organizuar, por situata mund të kishte marrë një rrjedhë shumë më serioze.
Pas ngjarjes, Zebervoki ka reaguar në “Instagram Story”, duke reflektuar mbi situatën dhe duke ndarë një mesazh për ndjekësit e tij. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së qetësisë në momentet e vështira dhe vigjilencën në situata të tilla.
“Jam shumë mirënjohës për eksperiencën dhe vitet e punës që e dua aq shumë, sepse nëpërmjet profesionalizmit dhe përgatitjes psikologjike e fizike, arrita të menaxhoj me sukses një situatë që në dukje kërcënonte sigurinë time, por që mund të kishte qenë fatale për persona të tjerë,” u shpreh ai.
Ai i këshilloi ndjekësit që të mos veprojnë me nxitim në situata të vështira dhe të ruajnë gjakftohtësinë, pasi një vendim i marrë në nerva e sipër mund të ketë pasoja të pakthyeshme. “Jeta mund t’ju përplasë në situata të ndërlikuara, por mos bëni veprimin e fundit të parin, sepse historia ka treguar që për diçka të bërë në nerva e sipër, dikujt mund t’i duhet t’i jetë pishman gjithë jetën,” shtoi ai.
Në fund, ai apeloi për vetëkontroll dhe largpamësi në çdo rrethanë, duke theksuar se momenti nuk të fal dhe se siguria personale duhet të jetë gjithmonë prioritet. “Zoti na ruajt e na bëftë të durueshëm,” përfundoi ai.