Kandidati i ‘Aleancës për Shqipërinë Madhështore’, Rudin Hylviu, ka marrë vendimin për të tërhequr fushatën e tij aktive dhe për të mbështetur publikisht kandidaten Loranca Hoxha.

Në një postim në rrjetet sociale, Hylviu u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të tij që të votojnë për Loranca Hoxhën.

Ai e cilësoi këtë veprim si një vetësakrifikim në funksion të interesit të Kavajës, qytet që sipas tij nuk ka pasur një zë të denjë në Parlament që prej vitit 2005.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq,
Nëpërmjet këtij statusi dua të bëj publik një vendim mjaft të rëndësishëm.
Dua të njoftoj publikisht vazhdimin e fushatës sime në mbështetjen e plotë dhe publike ndaj kandidates Loranca Hoxha.

Ky vendim nuk ishte i lehtë, por rrjedh nga nevoja që të gjithë të jemi të bashkuar drejt një misioni më të madh dhe ai është përfaqësimi i Kavajës me një mandat në parlamentin e ardhshëm. Sistemi ynë elektoral është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që matematikisht Loranca, si kandidate femër, është e vetmja që ka shancet të zgjidhet deputete.
Këtë vetësakrificë politike, po e bëj për t’i dhënë Kavajës përfaqësimin dhe zërin e saj në foltoren e parlamentit, gjë e cila i ka munguar që nga viti 2005.

Me këtë veprim shpreh bindjen e thellë se Loranca Hoxha do të jetë zëri i mijëra qytetarëve Kavajas dhe se do të mbrojë me forcë interesin e qytetit tonë. Me qëllim maksimalizimin e votës, emri im do të qëndrojë në fletën e votimit, por të gjitha votat duhet të shkojnë drejt emrit të Loranca Hoxhës.
Duke ju falenderuar të gjithëve për mbështetjen, bashkë do të vijojmë betejën tonë për Kavajën dhe fitoren madhështore të 11 majit.