Arsenali dhuroi mbrëmë spektakël në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Londinezët bardhekuq mposhtën Realin e Madridit me rezultatin e thellë 3-0. Rezultatin e skalitën dy goditjet mjeshtërore të dënimit nga Dekkan Rajsi dhe një gol i Mikel Merinos. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, i pari gati pas një ore lojë, gjë që sikur ia mpiu shqisat dhe nervin e reagimit mbretërorëve spanjollë.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me raste të mira për të dyja skuadrat, por pa gola. Portieri Kurtua ishte heroi për Realin pasi shpëtoi në disa raste të vetët. Mbrojtja e Arsenalit, e organizuar mirë, neutralizoi plotësisht treshen madrilene, Vinisiusin, Mbapenë dhe Rodrigon.
Goditja e dënimit, mjeshtërore nga Rajsi, solli golin e parë dhe të avantazhit. 12 minuta më vonë, sërish Rajsi nga një tjetër goditje dënimi, nga krahu tjetër, dha një tjetër provë mjeshtërore të ekzekutimit të tyre. Gol për arkivë. 2-0.
Anglezi i kombëtares së “Tre Luanëve” shënonte nga goditja e dënimit për herë të parë në jetën e tij. Për çudi këtë nuk e bëri një herë, por dy! Nuk ishte një ndeshje miqësore. I bëri ndaj Realit të Madridit dhe kjo do ta bëjë të paharrueshëm.
Në minutën e 75-të, Trosardi ndërtoi një aksion sulmues, Mikel Merinoja e kurorëzoi me gol me një të majtë të saktë.
Reali i Madridit humbi Kamavingën me një karton të kuq për në gjysëmfinalen tjetër. Vënia e francezit në listën e gjatë të mungesave për shkaqe dëmtimi ishte saktësisht ajo që nuk i duhej Ançelotit, po të mbahet parasysh se kjo disfatë, e njëmbëdhjeta këtë sezon për Realin, krahasuar me vetëm dy sezonin e kaluar, është një sinjal alarmues.
Realit i duhet ana më e mirë e vetes në “Bernabeu”, për të luajtur shanset e fundit që mund ta mbanin në garë skuadrën për një vend në gjysmëfinale.
Arsenali e ka urinë e një gjysëmfinaleje 16-vjeçare dhe duket se nuk ka nevojë për stimuj të tjerë. E gjitha si skuadër sy e vesh për t’ia dalë.