Në bashkinë e Divjakës ka nisur procesi i dezinsektimit. Një proces i përvitshëm i ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të ulur mundësinë e zhvillimit të larvave, duke ofruar një mjedis sa më të sigurt.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea ndoqën nga afër nisjen e procesit.

Ministrja Koçiu sqaroi detaje mbi këtë proces i cili nuk shtrihet vetëm përgjatë vijës bregdetare, por edhe në zona urbane. “Ky është një proces i përvitshëm që kryhet në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Janë afro 100 punonjës, staf i ISHP-së dhe njësive të kujdesit vendor, të cilat janë të shtrira në terren në një sipërfaqe prej 230 hektarësh. Janë evidentuar të gjitha zonat dhe ato që konsiderohen zona të nxehta përsa i përket larvave të mushkonjave”, tha Koçiu.

Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se është e rëndësishme që ky proces po kryhet në kohën e duhur, sipas një kalendari të përcaktuar dhe pa ndërprerje, duke theksuar se ky proces i shërben banorëve të zonës, por edhe vizitorëve numri i të cilëve po rritet vit pas viti.

“Unë jam e sigurtë që vit pas viti edhe rezultatet do të jenë gjithmonë e më të mira. Këtu duhet ta keni parasysh që situata në një moment me të vërtetë është shqetësuese edhe për banorët, kështu që vlerësohet shumë ky proces në zonën e Divjakës dhe në zonat e tjera bregdetare të qarkut të Fierit, ndoshta më shumë se kudo tjetër, pasi nuk është thjeshtë për pjesën e turistëve që është shumë e rëndësishme dhe ne e dimë që të gjitha ato vende të cilat kanë turizëm të zhvilluar e kanë këtë proces prej kohësh, por nga ana tjetër këtu është edhe për mirëqenien e banorëve”, tha Balluku.

Për kryebashkiakun Gorrea procesi i dezinsektimit është shumë i rëndësishëm për zonën dhe bashkinë e Divjakës.