Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me të rinj në Elbasan, së bashku me kandidatët Endri Hasa dhe Mirela Karabina, Aldi Lekaj, Naim Meta dhe Desard Muzhaqi. Në fjalën e tij, Basha theksoi rëndësinë e teknologjisë së informacionit në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit.

Ai theksoi mungesën e investimeve nga qeveria aktuale në këtë fushë, duke u shprehur se fakultetet shqiptare për këtë degë ende mësojnë me shkumës dhe dërrasë. Basha tha se Shqipëria po humbet një mundësi të madhe për shkak të mosinvestimit në teknologji, ndërsa tha se kryeministri e përdor vetëm për retorikë aty ku i dhemb plaga dhe thotë do ta luftoj korrupsionin me inteligjencë artificiale.

Në këtë kuadër, ai prezantoi një nga angazhimet kryesore të programit të Koalicionit Euroatlantik, si ndërtimin e katër qendrave të mëdha të teknologjisë së informacionit, inteligjencës artificiale dhe robotikës në akset kryesore të vendit, me synimin në krye të katër viteve të jenë 25 mijë profesionistë të këtë fushë me paga që nisin nga 2 mijë euro. Basha u shpreh se ky është një investim strategjik për të ardhmen e vendit, që jo vetëm do sjellë të ardhura të larta, por do forcojë shtresën e mesme dhe demokracinë në Shqipëri.