Arrestohet ish-efektivi i RENEA, Altin Morina. Morina është arrestuar mbrëmjen e djeshme (3 prill) nga shërbimet e komisariatit nr.2 në Tiranë. Mësohet se në momentin e arrestimit bashkë me të ka qenë edhe një person tjetër, i cili drejtonte mjetin ku ndodhe, Morina. 25-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”. Ish-efektivit iu gjet me vete edhe një armë zjarri dhe dokumente false.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. M., 45 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK, për veprën penale “Kultivimi i bimeve narkotike“, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, u arrestua dhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte 45-vjeçari, shtetasi E. H., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Altin Morina ishte ishte shpallur në kërkim më 17 maj të 2024 nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”. Ish-efektivi sipas SPAK ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.

“Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës,”-thuhet në dosjen e SPAK.

Kujtojmë se ish-efektivi i RENEa-s u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. Altin Morina me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi. Një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.