Nga Endri Kajsiu

Gjatë gjithë kësaj jave, me një histeri të paprecedentë politike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për pedofili online pasi ky i fundit foli për disa foto nudo që ia kishte publikuar po Berisha në vitin 2006.

Pas pesë ditësh të ngarkuara me nostalgjinë për të shkuarën, Berisha nuk duroi dot më dhe doli hapur, duke i publikuar po vetë fotot e Ramës, por kësaj here në facebookun e tij personal.

Ditën e sotme ai publikoi një video me kolazh pamjesh të Ramës, ku shfaqeshin edhe fotot nudo nga jeta e tij private, ato të cilat po Berisha dhe njerëzit e tij i bënë publike për shantazh politik në vitin 2006.

Në fakt, çudi nuk është që Berisha po del dita ditës në origjinë, duke ripublikuar fotot e Ramës për qëllime të ngushta e të pisëta politike. Ai dhe politika e këtij lloji, janë prej vitesh anomali në skenën politike shqiptare.

Pikëpyetja e madhe është çfarë mendimi do kenë tani gjithë analistët dhe shoqëria civile për ripublikimin e fotove nudo nga Berisha?

Çfarë qëndrimi do mbajnë tani të njejtët personazhe që komentuan faktin pse Rama rikujtoi mes të rinjve fotot nudo?

Ose si do ua mbajnë hallin fëmijëve që Berisha ua tregoi njëherë fotot në 2006 e tani po ua tregon sërish përmes faqes së tij?

A do të indinjohen ata sërish për këtë pornografi të radhës online? Apo do të pranojnë standardin Berisha që e trajton hapësirën digjitale si pusetë ujërash të zeza që ndyjnë hapësirën digjitale dhe mediatike?

Mos / reagimi i tyre do të tregonte shumë për standardin dhe seriozitetin me të cilin trajtohet etika, gjuha politike dhe mediatike në hapësirën tonë publike që vijon të vuajë edhe nga standardet e dyfishta në kësisoj rastesh.