Berishës i është larguar një tjetër aleat nga Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Zef Shtjefni kryetari i ‘Ora e Shqipërisë’, ka bërë një kërkesë në KQZ, për të ikur nga koalicioni.
Me një shkresë drejtuar komionserit shtetëror të zgjedhjeve, Shtjefni thotë se koalicioni me Berishën nuk ka funksionuar që ditën kur është firmosur.
Ai thotë se nuk është përfshirë në listën e hapur të PD-së dhe se në hapjen e fushatës Partia Ora nuk është ftuar.
Shkresa dërguar Celibashit:
I nderuar z. Kryekomisioner,
Ju njoftoj se Partia Ora e Shqipërisë, në koalicion me Aleancën për Shqipërinë Madhështore, nuk ka funksionuar që nga dita kur është firmosur marrëveshja. Aleanca për Shqipërinë Madhështore nuk ka përfshirë në listën e hapur kryetarin e partisë, nuk ka ftuar Partinë Ora e Shqipërisë në hapjen e fushatës elektorale, ndërsa kryetari i partisë ka marrë pjesë i pa ftuar në takim. Edhe sot, në takimin me partitë e koalicionit, Partia Ora e Shqipërisë nuk është ftuar në mbledhjen e radhës.
Në këto kushte, kjo aleancë ka shkelur marrëveshjen me Partinë Ora e Shqipërisë. Për këtë arsye, kërkojmë largimin nga ky koalicion, i cili nuk respekton marrëveshjen me aleatët e tij.