Nga Aladin Stafa

Fushata elektorale duket të jetë dhe togfjalëshi më i përmendur muajin e fundit në mediumet shqiptare. Me një vëmendje për t’u pasur zili, si rrallë herë ajo ka ndikuar edhe në ‘humorin’ e qytetarit. Nga vetë kuptimi, fushata elektorale është një shumatore aktivitetesh të planikuara, me qëllimin e vetëm, fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen ose (mbajtjen) e pushtetit të asaj force politike që ja del të jetë fituese në rezultatin final. Ndonëse zyrtarisht e lejuar vetëm 30 ditë para zgjedhjeve, fushata nis gjithmonë më herët. Sipas përllogaritjeve ajo shtrihet në një periudhë kohore më të gjatë e që shkon edhe në një apo deri në dy vite. Në të gjithë globin, njihet si një veprimtari tejet normale, ku forcat politike përdorin mënyra nga më të ndryshmet për të influencuar mbi popullin dhe për t’i rreshtuar në kahun e tyre.

I njëjti fenomen ndodh edhe në vendin tonë. Teksa kanë mbetur thuajse dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, mekanizmat përkatës janë gati për sprintin final.

Fushatat elektorale pavarësisht se kanë të njëjtën agendë për forcat politike të cdo vendi, ato sigurisht mbartin ngarkesa të ndryshme si në infrastrukturë, ashtu dhe në përmbajtjet e tyre. Vlen të përmendet se fushatat elektorale marrin formën e vendit ku zhvillohen. Nëse në Europe ato zhvillohen në heshtje, në qetësi si dhe pa ndonje pompozitet, në Shqipëri tashmë edhe të “amerikanizuar“ prej modelit trumpist, zhurma dhe kaosi eventualisht ka pushtuar skenën.

Dhe kjo nuk lidhet vetëm me karakterin apo traditën, por edhe sesi politika jonë i përngjason modelit amerikan; me dy figura qendrore në sfond dhe nevojën për të pasur secili rolin kryesor, ndonjë konflikt të mundshëm verbal dhe madhështinë e kultit të individit. Një situatë e tillë as që nuk mund të mendohet në Perëndim. Votuesit atje, jo vetëm që nuk do të ta kuptojnë atë por mund ta shihnin me një sy qesharak dhe madje përbuzës.

Këtë rradhë fushata ka marrë formën më aktualë të kohës që po jetojmë. Ashtu sikurse në cdo fushë, teknologjia ka rrëmbyer edhe politikën. Në një kohë kur takimet virtuale kanë tejkaluar ato fizike, njerëzit edhe vetë parapëlqejnë më shumë të shohin spektakël politik mes këtyre platformave, si instagram, tiktok apo dhe facebook të cilat duket se po e luajnë mjaft mirë rolin e një instrumenti jo pak ndikues tek to, duke sjellë shmangien prej thelbit (mesazhit) por nga ana tjetër duke fituar një vemendje më të gjerë tek imazhi, gafat dhe humori.

Mos ndoshta është kjo cfarë qytetari i së ardhmes dëshiron? Ruajtja e fokusit dhe thellimi tek cështja është gjithmonë një sfidë, sidomos për brezin e ri, i cili i vuan këto mangësi. Scrollingu padyshim e thjeshtëzon përthithjen e figurës, ngjyrave, skenës dhe vetë tablonë e ndodhive politike ku përtej argumentit, idesë dhe premtimit elektoral, e gjithë cfarë të rinjtë shohin ose cfarë duan thjesht të shohin, është një lojë.

Më mirë se kushdo, këtë, e kanë kuptuar aktorët kryesorë të betejave politike, mes tyre që shkëlqeu pak më herët, Presidenti Trump i cili vitin e kaluar, me fushatën e tij tregoi se të qenurit në vëmendje kudo e për gjithcka është ajo cfarë nevojitet.

E nëse prej 30 vitesh modeli i fushatave ka qenë vetë Europa, vlen të përmendet se zgjedhjet e majit 2025, duken më amerikane se kurrë.

Sot edhe pse me një faktor të shtuar sic është teknologjia, nuk duhet të harrojmë se fushatat elektorale kane ekzistuar edhe më herët. Në Athinën e lashtë modeli i tyre duket jo shumë larg prej epokës moderne. Sic dhe historianët e përshkruajnë, thelbi nuk ka lëvizur shumë nga boshti i saj fillestar. Filozofë si Perikliu apo Alcibiades vazhdojnë të jenë ende shëmbëlltyra në realitetin e sotëm. I pari me fjalime inspiruese, duke mbrojtur demokracinë e ndjellë një emocion të lartë patriotizmi, Perikliu, i mbeti stoik imazhit të tij mbretëror në publik, larg skandaleve apo një mode ekstravagante.

I dyti, Alcibiades, një politikan me modelin e një “rockstar-i“, mes sharmit, dramës dhe stilit të tij të të veshurit dukej se tërhiqte vëmendjen më të madhe. Madje ai arriti deri në një proces flirtimi me votuesin, duke bërë një ndarje tek njerëzit, në ata që e duan dhe ata që e urrejnë.

Të dy, edhe pse disi të ndryshëm, ishin të aftë të tërhiqnin sy, veshë e zemra njerëzish, atë cfarë në të vërtetë politika kërkon. E bashkë me të, frymëzuan tek njerëzia të besuarit tek ëndrra, duke formuar një simbiozë e cila duket se është dhe celësi drejt një fitoreje të sigurt.

Nëse do ta aktualizonim këtë model me situatën cfarë ndodh tani, kuptojmë që njeriu nuk paska ndryshuar shumë. Protagonistët dhe jo protagonistët kanë të njëjtën sjellje prej shekujsh, por këtë herë me një zhvillim të ri epokal, sic mund ta quajmë ndryshe një “Athinë Teknologjike“.