Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së në Rajonin 4 të Vlorës, ku prezantoi kandidatët për deputetë, Evis Allushi dhe Endri Hyseni. Gjatë fjalës së tij Çuçi evidentoi edhe njëherë transformimin e madh që ka pësuar Vlora gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, duke përmendur disa investime të mëdha infrastrukturore që janë bërë e deri te aeroporti ndërkombëtar i cili është drejt përfundimit apo projektet e dy marinave.
“Shembulli më i madh i transformimit në Shqipëri është Vlora. Vlora e para 12 viteve nuk ka të ngjarë fare me Vlorën që jemi sot në çdo aspekt që ta marrim. Kjo krenari duhet të na shoqërojë në zgjedhjet e 11 majit. Lungomare do të bëhet shumë shpejt lungomare më e gjatë në Mesdhe. Vlora do të bëhet me dy marina të jashtëzakonshme të kalibrit europian dhe me aeroport ndërkombëtar”, tha Çuçi. Në vijim të fjalës së tij Çuçi foli për integrimin europian të Shqipërisë.
“Këtë radhë fushata nuk është thjesht për rrugën e lagjes, por është për të ardhmen e fëmijëve tanë. Këtë radhë ne do t’i premtojmë shqiptarëve ëndrrën shekullore, futjen në Bashkimin Europian. Shqipëria do të jetë një vend anëtar i BE-së me të drejta të plota”, deklaroi Çuçi.
Duke vlerësuar listën e kandidatëve për deputetë si shumë përfaqësuese, Çuçi kërkoi që së pari të fokusohemi te numri 5 dhe Partia Socialiste e pastaj të kalohet te preferencat personale. Në këto zgjedhje theksoi Çuçi, Partia Socialiste ka mundësinë historike të marrë 9 mandate deputetësh në qarkun Vlorë.
“Janë të gjitha kushtet që ne të shkojmë 9 mandate në Vlorë. Është ajo që ne kemi bërë për Vlorën dhe Shqipërinë, që Edi Rama ka bërë për Vlorën dhe Shqipërinë. Është oferta që iu japim ne shqiptarëve edhe Vlorës për 2030 që është Bashkimi Europian. Është situata ku ndodhet opozita. Janë të gjitha rrethanat për 9 mandate në Vlorë”, deklaroi Çuçi.