Nga Mero Baze

Stafi i fushatës elektorale të Sali Berishës ka vendosur prej sot që ai të ndalojë transmetimet live në fushatë në YouTube dhe që ato të hidhen vetëm pasi të redaktohen nga gafat.

Vendimi është shoqëruar me disa sqarime publike, se demenca e tij ka të bëjë me programin e ngjeshur të PD-së dhe faktin që ai lexon shumë faqe nga programi dhe pastaj ngatërrohet.

Në fakt, nuk dihet a e kanë konsultuar me LaCivitën këtë hall, se ai gjithë fushatën pro Trump-it e ka mbështetur mbi demencën e Biden-it, dhe tani ndoshta është i papërgatitur si t’ia bëjë “Biden-it të vet”.

Por ky nuk është më hall i një fushate. Ky është një hall shëndetësor dhe familjar.

Çfarëdo që të bëjë stafi i fushatës, nuk i vë dot ndonjë çip në tru Berishës që të ndalojë demencën. Ende nuk ka arritur shkenca deri këtu.

Vendimi që Berisha të vazhdojë fushatën apo jo, tani është më i vështirë se kurrë.

Ndërprerja e transmetimeve live është një farë ndihme që gafat të mos përhapen me shpejtësi në kohë reale, por nuk është zgjidhje.

Ai do t’i bëjë ato kudo, kurdoherë dhe me të njëjtin ritëm sa herë të hapë gojën.

Nuk është faji i tij, është faji i moshës.

Është shumë njerëzore t’i ndodhë ajo, çdokujt që është në atë moshë.

Dhe mos e fajësoni pse nuk i ndal, apo pse nuk mërzitet prej tyre. Nëse truri i një të moshuari në atë gjendje ka aftësinë të perceptojë që po bën gafa, nuk ka demencë – është në rregull.

Problemi është që ai i ka ato të pavullnetshme dhe as mund t’i analizojë, as t’i kuptojë se si e kanë kthyer në personazh humori në fushatë.

Të vetmit që mund t’ia shmangnin këtë telendisje ishin fëmijët dhe gruaja.

PD nuk mund të marrë më vendime për të, pasi ai merr vendime për PD-në.

Por me sa duket, fëmijët – mes një babai që po bëhet “meme” orë e minutë, dhe një kryetari opozite që t’i mbrojë ata nga drejtësia – u duhet ky i dyti, qoftë edhe qesharak.

Ndaj mos prisni ta shpëtojnë PD-në nga ky hall. Deri më 11 maj u duhet në këmbë.

Pastaj nuk ngatërrohet më, se s’ka më program.