Nga Baton Haxhiu
E kanë bërë të gjithë. Po e bëjnë edhe sot në Ballkan dhe në Shqipëri. Politika ka kohë që ka ndërtuar një kulturë të heshtur dhe të shtresuar lobimi në Shtetet e Bashkuara.

Në vend të institucioneve të forta, besohet se ndryshimi i fatit politik arrihet përmes ftesave në Washington, darkave të shtrenjta dhe marrëveshjeve lobuese të fshehta.
Në këtë botë politike, në të gjithë Ballkanin, demokracia nuk rrjedh nga ndërtimi i brendshëm i besimit publik, por nga përshtypjet që krijohen nëpër korridoret e pushtetit amerikan.
Një ndryshim politik, një rehabilitim personal apo edhe një amnisti morale mund të duket, në këtë logjikë, thjesht çështje e lobimit të duhur, i bërë në kohën e duhur, me shumë të holla në dorë, që vijnë nga burime të dyshimta.
Në këtë kontekst vjen edhe rasti i fundit, i 6 milionë dollarëve e bërë për Partinë Demokratike. Një marrëveshje e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara hedh dritë mbi një fushatë të re lobimi të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe koalicionit të saj të sapokrijuar, Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me firmën amerikane Continental Strategy LLC, për një shumë që arrin 6 milionë dollarë.
Dokumenti, i regjistruar në kuadër të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), tregon për një përpjekje të mirëorganizuar për të ndërhyrë në rrjedhat e politikës amerikane me qëllime që shkojnë përtej promovimit të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit, siç formalisht deklarohet.
Në marrëveshje, Continental Strategy zotohen të ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve me aktorët kyç të administratës dhe Kongresit amerikan, të mbështesin reformat demokratike në Shqipëri dhe të avancojnë interesat e klientëve të tyre në përputhje me aleancat tradicionale SHBA-Shqipëri.
Megjithatë, burime të afërta me procesin lobues sugjerojnë se objektivi real është shumë më specifik. Synohet krijimi i një terreni politik që do t’i mundësonte Sali Berishës, liderit historik të Partisë Demokratike, të fitojë akses të ri në institucionet amerikane dhe të nisë një proces që do të çonte drejt heqjes së shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit.
Në prapaskenë, kontrata lobuese shihet si një manovër politike për të rehabilituar figurën e Berishës në Uashington dhe për të ndërtuar një kundër rrëfim ndaj qeverisë aktuale të Edi Ramës, e cila, sipas strategjisë së promovuar, portretizohet si e lidhur me interesa të korruptuara dhe si faktor destabilizues në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Sipas të njëjtave burime, një nga elementët konkretë të fushatës është përgatitja e një vizite potenciale të Berishës në Uashington, një lëvizje që do të kishte vlerë të jashtëzakonshme propagandistike dhe do të shërbente për të minuar narrativën e izolimit ndërkombëtar që rëndon mbi të.
Ligjërisht, lobimi i huaj është i lejuar në Shtetet e Bashkuara për sa kohë kryhet me transparencë dhe në përputhje me FARA-n, i cili kërkon publikimin e marrëveshjeve, aktivitetit dhe pagesave. Në këtë aspekt formal, marrëveshja e Partisë Demokratike është e rregullt, megjithatë mungesa e qartësisë mbi burimin e fondeve për një kontratë kaq të rëndë financiarisht hap pyetje të pakëndshme.
Nuredin Seci, një figurë pak e njohur për publikun shqiptar, shfaqet si garantues financiar në dokumentet e regjistruara, por nuk ka të dhëna publike për kapacitetet financiare apo burimet e mundshme të pagesave që do të mbulojnë një angazhim prej miliona dollarësh.
Në një këndvështrim më të gjerë, kjo fushatë lobimi përbën një tregues të një krize më të thellë të legjitimitetit politik, ku betejat për rikthimin e pushtetit nuk zhvillohen më përmes reformave të brendshme, por përmes ndërtimit të aleancave jashtë vendit, duke përdorur teknika të avancuara të influencës politike.
Dhe ndërsa nënshkrimi i kontratës synon të kthejë rrjedhën e perceptimit ndërkombëtar në favor të opozitës, pyetja qendrore mbetet, se a mund të fitohet vërtet kredibilitet demokratik përmes një operacioni lobimi milionash që në thelb ka për qëllim restaurimin e një figure politike të sanksionuar?
Në skenën e brendshme shqiptare, ku polarizimi politik është thelluar dhe narrativat mbi korrupsionin përdoren si armë retorike në të gjitha drejtimet, marrëveshja e Partisë Demokratike rrezikon të perceptohet më shumë si një shfaqje për konsum të brendshëm sesa si një mjet real për të transformuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Dhe nëse qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj përpjekjeje do të jetë çlirimi i Berishës nga “non grata” dhe ringjallja e një fushate anti-Rama në mjediset politike amerikane, atëherë pasojat diplomatike për vendin mund të jenë shumë më të thella sesa thjesht një betejë për pushtet.
Procesi i lobimit, në vetvete, është bërë një industri që, më shumë sesa të forcojë demokracitë në zhvillim, shpesh përdoret si një rrugë emergjente për të riparuar reputacione të dëmtuara dhe për të ndërtuar realitete alternative politike.
Në këtë rast, fushata shumë milionëshe e Partisë Demokratike ngjan më tepër si një investim i dëshpëruar në një rikthim të pamundur, sesa si një projekt i sinqertë për forcimin e vlerave demokratike në Shqipëri.
Lobimi nuk është më thjesht një mjet komunikimi, para se gjithash është bërë një armë për të ndikuar perceptimet, për të anashkaluar të kaluarën dhe për të fabrikuar një të ardhme sipas dëshirës së atyre që mund të paguajnë çmimin.
Në fund të fundit, përpjekjet për të ndikuar opinionin ndërkombëtar mund të ndihmojnë përkohësisht një kauzë politike, por rrënjosja e besueshmërisë dhe e reformës së vërtetë kërkojnë shumë më tepër sesa kontrata të kushtueshme.
Në Ballkan, ku ideja e shtetit ligjor dhe pavarësisë institucionale ende konkurron me nostalgjinë për patronazhin politik dhe klientelizmin, lobimi në Washington shihet jo si mjet për të mbështetur progresin demokratik, por si një shans për të anuluar historinë dhe për të rishkruar biografitë e dështuara.
Në këtë kontekst, gjashtë milionë dollarë nuk janë një investim në të ardhmen. Lobimet janë një rrëfim i trishtë për të kaluarën që refuzon të ikë.
Në fund të ditës, mund të blesh konsultime, darka, fjalime dhe premtime në korridoret e pushtetit amerikan, por as paratë dhe as retorika nuk mund ta blejnë legjitimitetin që një shoqëri duhet ta fitojë me punë, sakrificë dhe integritet të vërtetë.
Në Shqipëri, si gjithmonë, më e lehtë është të blesh dritat e skenës, sesa të ndërtosh themelet e shtëpisë.
Por dritat zbehen më shpejt sesa mund të pritet.
Administratat ndërrohen, miqtë e paguar zhduken pa lënë gjurmë, dhe ata që për pak çaste besuan se ndriçimi i rremë do të kthehej në fuqi të vërtetë, mbeten sërish në errësirën e zakonshme të harresës.
Në bursën e egër të politikës ndërkombëtare, ku vlerat maten jo me çmimin e faturës por me peshën e integritetit, ata që blenë një vend në skenë me milionat e tyre shndërrohen shpejt në letra të pavlera sapo ndryshon era e pushtetit.
Jeta politike e këtyre figurave rifillon nga e para, më e rëndë dhe më e zbrazët se më parë. Pir këtë radhë pa respekt, pa aleatë të vërtetë, pa rrënjë që të mbajnë në këmbë.
Sepse ndikimi i blerë është gjithnjë hua me afat të shkurtër. Mund të jetë sa për një sezon, sa për një administratë, sa për një fotografi.
Pastaj vjen heshtja.
Dhe pastaj vjen harresa.
Në fund, nuk janë paratë që ruajnë peshën politike të një individi.
Është koha, dinjiteti dhe vepra e tij.
Dhe këto nuk mund të blihen, as me gjashtë milionë dollarë, as me të gjitha dritat e skenës së Washingtonit.