Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Andi Shkullakun, i arrestuar 3 ditë më parë me urdhër të prokurorisë së Korçës, pasi akuzohet për moskallëzim krimi lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 10 Gusht të 2024, ku mbeti viktimë Egli Proga.
Arrestimi i tij u bë pasi një dëshmi e re u administrua nga prokuroria e Korçës, ku thuhet se viktima Egli Proga fillimisht u dhunua brenda ambienteve të lokalit nga shtetasi Leonidha Guçe e më pas u godit jashtë ambienteve nga Denis Meçe.
Sipas të dhënave, i arrestuari Andi Shkulaku ka qenë prezent në vendngjarje dhe ka parë të gjithë ngjarjen por më pas është larguar.
Sipas dosjes së hetimit, Denis Mece akuzohet për vrasje me dashje ndërsa Leonidha Guce, Voltan Shkulaku dhe Arjan Manellari akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.