Tiranë, 22 Prill- Në kuadër të Ditës Botërore të Tokës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte në gjimnazin “Luan Hajdaraga” në Tiranë, ku është shtrirë programi edukativ “Toka në shkolla”.
Ky program synon të afrojë të rinjtë me natyrën, duke promovuar vlerat e një jete të shëndetshme dhe respektin ndaj mjedisit.
 
Në këtë ditë të rëndësishme ndërgjegjësimi për mbrojtjen e planetit tonë, Ministrja Manastirliu theksoi se është e rëndësishme edukimi i nxënësve që në shkollë për rëndësinë e ruajtjes së tokës si shtëpia jonë e përbashkët.
 
“Shkolla juaj dhe të gjitha shkollat në vend janë të dedikuara për të shfrytëzuar në mënyrë sa më efektive ambientet e jashtme, duke krijuar mundësinë e laboratorëve të pemtarisë brenda shkollës. Kjo është një mundësi për nxënësit që, përmes territorit të shkollës, të njihen më mirë me natyrën, me mjedisin, me mbjelljen e bimëve, me mënyrën se si kujdesesh për bimët dhe të kuptojnë të gjithë ciklin nga toka deri në tryezë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Gjimnazi “Luan Hajdaraga”, një ndër shkollat më të reja të ndërtuara në kryeqytet, përfaqëson një model të arsimit bashkëkohor. I pajisur me një kopësht të madh, shkolla ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e praktikave të mësimit në natyrë. Kopshtet e shkollës përdoren tashmë si laboratorë natyrorë për biologjinë, shkencat, matematikën dhe edukimin mjedisor, duke e pasuruar ndjeshëm përvojën e nxënësve.
 
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te vlera e mësimit praktik në natyrë:
“Për të ruajtur mjedisin, për t’u kujdesur për mjedisin dhe gjithashtu edhe për t’ju dhënë vlera pikërisht atyre pasurive tona sikurse është toka, mjedisi, natyra, por nga ana tjetër edhe për të mësuar më shumë sepse ku ka më mirë sesa ato që i mësoni në libra të mundeni që t’i zhvilloni edhe në praktikë. Dhe kjo është vlera e vërtetë e këtyre projekteve.”
 
Përveç anës edukative, “Toka në shkolla” ka një ndikim praktik dhe social, duke i mësuar të rinjtë të kultivojnë tokën dhe të kuptojnë ciklet e jetës në natyrë.
Nëpërmjet këtyre programeve, Ministria synon të rikthejë vëmendjen e të rinjve tek vlerat e qëndrueshme dhe të krijojë një lidhje të qëndrueshme mes tyre dhe natyrës.