Gazetari Flamur Vezaj ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të akuzuarit e aferës së Inceneratorit të Tiranës. Në një postim në Facebook, Vezaj shkruan se shtatë persona u dënuan “lehtësisht” vetëm për procedura të shkruara në letër dhe jo për vjedhjen, zhdukjen e 130 milionë eurove apo mungesën e impiantit të përpunimit të mbetjeve.

Sipas Vezajt personat që qëndrojnë pas këtyre shkeljeve jo vetëm që nuk janë dënuar por ndaj tyre nuk ka as në akuzë. SPAK, thotë gazetari, pas 5 vitesh hetime nuk ka arritur të gjejë se ku kanë shkuar 130 milionë eurot. Gazetari shprehet se në vend të finalizimit të hetimeve të kësaj afere, prokurorët e SPAK “mburren për sekuestrimin e 10 milionë në kriptomonedhave me ndihmën e të huajve”.

Më tej, Vezaj në postimin e tij ka folur dhe lidhur me raportimin e kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumanit para KLP-së. Gazetari thotë se shefi i SPAK, hallin më të madh nuk ka korrupsionin, por çfarë do të ndodhë pas 9 vitesh me prokurorët e Posaçëm dhe presionin nga media dhe politika. Gjithashtu ka komentuar dhe kërkesën e SPAK që të mos merret me çështje korrupsioni nëse shuma është më pak se 500 euro. Lidhur me këtë, Vezaj ngre pyetjen “a është ky versioni shqiptar i “çdo gjë nën 500 euro është bakshish, jo krim”? “.

POSTIMI I PLOTË:

Drejtësia e plehrave: dënohen letërshkruesit, jo hajdutët që “dogjën” parat dhe groposen plehrat

Shtatë të dënuar me dënime “të tmerrshme”, disa javë burg, ca muaj paraburgim… që mezi ia vlen t’i quash dënime. Tre të tjerë me shërbim prove, se s’ka pse të lodhen fare, dhe një… pafajësi! Gjithë kjo për një “krim të rëndë”, procedura e tenderit për inceneratorët. Jo për vjedhjen. Jo për zhdukjen e parave. Jo për mungesën e impiantit. Por sepse… në letër fituesi ishte paracaktuar!

Ndërkohë, për ata që dhanë dhe ata që morën 130 milionë euro dhe nuk ndërtuan kurrë gjë, jo vetëm që nuk ka dënim, por as akuzë! Pra, po, dënohesh për zgjedhjen e fituesit, por jo për faktin që fituesi fiku dritat dhe iku me thesin e parave!
Ironia është që SPAK i arreston ata që “luajtën me letrat”, por s’ka as adresën e pronarëve që grumbulluan mbeturinat, groposën ndonjë gropë andej-këndej dhe e quajtën “incenerator”. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas pesë vitesh, SPAK s’ka qenë në gjendje të gjejë ku janë paratë! Sekuestrim? As mos ta përmendim…

Ndërkohë, në ndonjë cep të Tiranës, krenarë si peshkatarë që kapin peshk plastik, mburren për sekuestrimin e 10 milionë në kriptomonedhave me ndihmën e të huajve, sigurisht. Se vetë, mezi sekuestronin ndonjë kacidhe.

Pastaj vjen shefi i SPAK në raportim para KLP-së dhe mburret për sekuestrimet, që rrugës nuk bëhen kurrë konfiskime, se për çudi, paratë gjithmonë “shkrihen” rrugës. Por halli më i madh i shefit nuk ishte krimi i organizuar (pa SKYECC )jo korrupsioni madh, jo 130 milionë eurot që u zhdukën. Hallin e kishte, mes tjerash se ç’do ndodhë pas 9 vitesh me prokurorët e SPAK!-ut! Pse? Se do mbarojnë mandatet! Dhe kërkon që të ndryshohet Kushtetuta, që të mos lënë kolltukun… se kush rri dot prokuror por jo në SPAK!

Ndërkohë, një tjetër shqetësim i madh ishte presioni nga politika e media që po i bëhet SPAK-ut! Po mirë, a nuk e dinit këtë ditën që pranuat detyrën? Po pse jeni trembur tani? Nëse dikush ju kërcënon, arrestojeni! Nëse shpifin, paditeni! Apo juve ju pëlqen më shumë të qaheni nëpër raporte e konferenca sesa të veproni nëpër dosje!!?

Dhe më e bukura, kërkesa zyrtare që SPAK-u të mos merret me çështje korrupsioni nëse shuma është më pak se 500 euro. Po a është ky versioni shqiptar i “çdo gjë nën 500 euro është bakshish, jo krim”? Po mirë, më falni, por kë keni arrestuar Ju që ka marrë më shumë se 500 euro këto pesë vite??! Se nuk po e gjejmë në asnjë faqe të raportit…

Dhe për mbyllje epike, nuk na the pse kanë rënë kallëzimet nga policia, sipas analizës Së “ekspertëve” tuaj!??