Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi foli para ndeshjes vendimtare që ekipi i tij luan kundër Dinamos. Nesër (e diel) në orën 15:30 në stadiumin e Rrogozhinës dy skuadrat do përballen në javën e 36-të dhe të fundit të Superligës për sezonin e rregullt, me bardheblutë që janë buzë “humnerës”.

Një fitore do e dërgonte Tiranën në play-out dhe do i jepte një shans për të mbijetuar, por përballë është Dinamo që këtë sezon ka bërë mirë dhe mban vendin e tretë.

Trajneri i Tiranës e ka mendjen te sfida e një jave më parë, humbur 0-1 kundër Teutës. Shkëmbi për mediet tha se ekipi i tij duhet të bëjë të njëjtën ndeshje dhe të shfrytëzojë sa më mirë rastet për gol.

“Vijmë pas një humbje, ana psikologjike nuk është ajo më e mira edhe pse jemi mundur që të flasim gjatë gjithë javës. Vijmë nga një ndeshje që nuk e meritonim ta humbisnim, por për fat të keq e humbëm dhe jemi para një fakti që kemi një finale dhe shpresoj shumë që të bëjmë më të mirën dhe të marrim tri pikët.

Mungesat? Nuk vijmë në më të mirën e mundshme, vijmë nga disa mungesa, vuajmë dëmtime dhe shpresoj që nesër të rikuperojmë sa më shumë që të jetë e mundur.

Gjendja dhe presioni? Unë mendoj që janë të gjitha, kemi presion dhe mendojmë që çfarë duhet të bëjmë për ta fituar këtë ndeshje dhe për t’u qetësuar sadopak, e thashë që nuk ka më kohë, asnjë mundësi rikuperimi, e thashë që duhet të bëjmë maksimumin tonë dhe shpresoj të kemi fatin me vete nesër.

Dinamo? Kundërshtari ka folur në fushë çdo javë, e vlerësojmë maksimalisht, po kalon një moment të mirë, Dinamo është një skuadër që ne para një muaji kemi bërë një humbje 4-1 dhe mendoj që nuk e meritonim se në një pjesë të madhe, kemi bërë një ndeshje goxha të mirë, por nuk duhet të shikojmë kundërshtarin por veten. Kemi bërë ndeshje të mira, por i kemi humbur vetë, për fajin tonë dhe shpresoj që nesër të mos bëjmë gabime dhe të kemi edhe fat.

Mënyra e lojës? Nuk më pëlqen të jemi në reparte të ndara, do të doja që Tirana nesër të përsërisë ato 60-70 minuta që ka luajtur me Teutën dhe mendoj që nëse luajmë në atë mënyrë dhe do të kemi ato raste për të shënuar, patjetër do të shënojmë, të kemi fatin për të shënuar dhe jo si me Teutën”, deklaroi Bledi Shkëmbi.

Tirana me 36 pikë ndodhet në vendin e parafundit (9) dhe një fitore kundër Dinamos do e dërgonte në play-out, pa marrë parasysh rezultatet e rivalëve për mbijetesën. Nga ana tjetër Dinamo me 55 pikë mban pozitën e tretë dhe e ka siguruar zonën “Final 4”, teksa kërkon vendin e dytë.