“Make Albania Great Again”, fondacioni që ka marrë përsipër të mbulojë deri 6 milionë dollarë, pagesa për lobimin e partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një organizatë e familjes së Nuredin Secit. Aktet e siguruara ekskluzivisht nga Report TV, dëshmojnë se në përbërje të tij nuk figuron asnjë emër tjetër nga grupi i “patriotëve shqiptaro-amerikanë” që kanë vendosur të dhurojnë shuma të larta në mbështetje të PD-së.

Fondacioni siç zbuloi më herët Report Tv, u themelua vetëm pak ditë përpara firmosjes së kontratës, në të cilën, krahas emrit të Flamur Nokës, është vetëm ai i shqiptaro-amerikanit Nuredin Seci, në rolin e garantorit dhe personit që do të kryejë pagesat.

Report tv ka siguruar ekskluzivisht dokumentin e themelimit të këtij fondacioni, 27 marsin e kaluar, ku thuhet qartë, e zeza në të bardhë, se anëtarët e Bordit Drejtues të këtij fondacioni janë Nuredin Seci, Valdrin Seci, djali i tij dhe Ajshe Seci, bashkëshortja e Nuredinit. Sipas akteve, qëllimi i fondacionit, i regjistruar nga shteti i New Jerseyt si organizatë jo fitimprurëse, është promovimi i të mirës së përbashkët dhe mirëqenia e komunitetit lokal të atjeshëm. Në fund ka edhe një shtesë të shkurtër ku thuhet se ai “mund të angazhohet edhe në aktivitete politike.
Në këtë akt themelimi të MAGA-s shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, evidentohet se adresa e themeluesit Nuredin Seci dhe familjarëve të tij, të vetmit anëtarë bordi, është e njëjtë me atë të fondacionit, pra “65 Woodland Road Woodcliff Lake, New Jersey 07677”, pra vila 2 milionë dollarëshe, të cilën Report Tv e ka raportuar më herët.

Ky dokument ngre pikëpyetje të mëdha rreth qëllimit të vërtetë të themelimit të Fondacionit. Partia Demokratike u përpoq ta projektonte si një organizatë që kishte mbledhur rreth vetes përfaqësuesë të komunitetit. Por në fakt janë vetëm 3 anëtarët e ngushtë të një familjeje me origjinë nga Tropoja. Periudha disa ditore, nga themelimi, te kontakti me kompaninë e njohur lobuese “Continental Strategy”, te pranimi nga ana e kësaj të fundit e kërkesës për t’u angazhuar e deri të firmosja, qartazi lënë të kuptohet se ajo u ngrit thjesht si një mbulesë për realizimin e pagesës.

Valdrin Seci, djali 32-vjeçar i Nuredin Secit, ka në Shqipërinë një tjetër fondacion të njohur si “Seci Foundation”, i cili ka hapur thotë se ka dy qendra për fëmijët me autizëm në Shqipëri, një në Tropojë dhe një në Tepelenë. Në fushën e trajtimit të fëmijëve me autizëm në Shqipëri njihet bashkëshortja e ish Kryeministrit Berisha, Liri Berisha, me fondacionin e saj “Fëmijët Shqiptarë”.

Nga ana tjetër Valdrin Seci shpesh është bërë edhe objekt i lajmeve në media shqiptare për lidhjen me një personazh të showbizzit shqiptar, Agnesa Hadërgjonaj dhe jetën luksoze që bëjnë. Hadërgjonaj e promovon fondacionin Seci edhe në rrjetet sociale. Në njëvjetorin e fondacionit pak ditë më parë, stafi i tij falënderonte donatorët Vladrin Seci dhe Agnesa Hadërgjonaj për kontributin. Djali i Nuredin Secit, Valdrini figuron pronar i 2 bizneseve në New Jersye në SHBA, një i vogël me punëtor vetëm vetën dhe SECI HOME IMPROVEMENT, një kompani për rregullim të çative.

Në New Jersey rezultojnë disa firma në pronësi të familjarëve të Nuredin Secit, si “Seci Construction, Inc” me pronar nipin e tij Akil Seci biznes i cili është bërë dhe objekt i autoriteteve hetuese në SHBA. Ndërsa Valbona Seci, agjente imobiliare, e cila realizoi dhe shitjen me 2 milionë dollarë të vilës që raportohet si selia qendrore e “Make Albania Great Again”, punon për “Fair Lawn”, edhe kjo kompani po ashtu me probleme ligjore.

Sa i përket kontratës së firmosur së firmosur nga Flamur Noka, ajo rezulton të jetë më e shtrenjta edhe për një kompani shumë të njohur lobimi në SHBA si “Continental Strategy”. Në periudhën shkurt prill 2025 kjo firmë ka lidhur 5 kontrata ku në vend të parë me shumën 250.000 dollarë në muaj renditet PD e Shqipërisë, me një diferencë të theksuar nga të tjerat.

Kontratën 6 milionë dollarëshe Flamur Noka e firmosi në emër të të gjithë koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa nuk ka asnjë informacion që për këtë të jenë pyetur kryetarët e 25 partive të tjera. Ndërsa Partia Demokratike ka vendosur të mos japë asnjë informacion të mëtejshëm për kontratën e lobimit, për të cilën janë paguar tanimë 750 mijë dollarë, angazhimi disa milionësh, i marrë nga Seci, tre ditë pas themelimit të Fondacionit, mbetet një pikë e errët në këtë histori.

Për këtë kontratë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se nisi hetimet menjëherë. Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare./Shiptarja.com