Mësuesi i shkollës 9-vjeçare në Rrajcë, Fatmir Hoxha ka rënë në prangat e policisë pasi ngacmoi seksualisht dy nxënëse.

Sipas korrespodentes së Top Channel, Bruna Kërçyku, mësuesi i Histori Gjeografisë, baba i tre fëmijëve, dyshohet se ka ngacmuar me fjalë dhe me prekje 14 vjeçaret në ambientet e shkollës.

Veprimet e rënda janë vënë re nga kolegët e tij të cilët më pas e kanë referuar ngjarjen në drejtorinë e shkollës.

Ka qenë drejtori i shkollës ai që ka denoncuar në polici 55 vjeçarin Fatmir Hoxha.

Ky i fundit sapo ka mësuar hetimet ndaj tij ka tentuar të arratiset, por është ndaluar nga efektivët në aeroportin e Rinasit.

Ndërkohë policia ka marrë në pyetje nxënëset në prani të psikologut të cilat janë në gjendje të rënduar psikologjike. Nga ana tjetër gjatë marrjes në pyetje prindërit e vajzave kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për ngjarjen.

Gjatë veprimeve të para hetimore gjithashtu është marrë në pyetje mësuesi 55 vjeçar i cili ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave ndërkohë është shprehur se po largohej nga Shqipëria për çështje personale.

Prokuroria tashmë ka nisur hetimet e mëtejshme për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.