Mero Baze/
Një qytetar francez ka ndalur në rrugë Sali Berishën, duke e konsideruar si një politikan të lumtur që Shqipëria po zhvillohet dhe turizmi ka përparuar, dhe i tregoi me mburrje se ka ardhur tre herë në Shqipëri dhe është shumë i lumtur që BE do ta bëjë Shqipërinë anëtare. Për çudinë e francezit të sinqertë, që e do Shqipërinë, Berisha u prish në fytyrë dhe i tregoi se Shqipëria nuk ka shanse për në BE, se nuk plotëson standardet, pa ardhur ai në pushtet.
Ky episod spontan në fushatën e Berishës tregon shumë për kontrastin mes atyre që e prekin suksesin e Shqipërisë pa ndonjë interes politik, siç është një turist francez, dhe një njeriu që e do Shqipërinë në ferr, nëse nuk është ai në pushtet.
Shpesh herë Berisha dhe opozitarë të tjerë janë kritikuar pse në takime ndërkombëtare shajnë Shqipërinë apo nxijnë imazhin e saj. Kritikat në këtë rast janë të diskuteshme, pasi në fund të fundit ata duan të sulmojnë qeverinë shqiptare dhe t’i ulin asaj mbështetjen tek institucionet ndërkombëtare, qoftë edhe duke shpifur.
Edhe pse nuk është shumë etike që për luftën për pushtet të nxish vendin tënd, prapëseprapë ka një lloj arsyetimi politik pervers.
Por të shash Shqipërinë në sytë e një qytetari të huaj që ka ardhur turist në Shqipëri dhe është i gëzuar nga zhvillimi i saj, duke e tmerruar atë, është thjesht një ligësi spontane që vizaton karakterin tënd.
Turisti francez, përveçse nuk ka ndonjë interes politik, nuk ka asgjë në dorë për të ndihmuar Berishën në Francë, që të dobësojë qeverinë shqiptare. Ai nuk përfaqëson as Francën, as ndonjë institucion ndërkombëtar, që mund t’i prishë punë qeverisë. Ai thjesht është një turist i sinqertë që ka keqkuptimin se një politikan shqiptar, qoftë në pushtet apo në opozitë, duhet t’i gëzohet zhvillimit të Shqipërisë.
Reagimi i Sali Berishës ndaj tij tregon se ai nuk nxin Shqipërinë në botë vetëm për arsye politike, pasi edhe ndaj dikujt që s’ka asnjë interes politik, ai e nxin përsëri. Madje ndaj dikujt që vjen, harxhon para në Shqipëri dhe e dashuron Shqipërinë dhe zhvillimin e saj. Kjo tregon që Berisha dashurinë për Shqipërinë e ka me kusht: ai e do Shqipërinë vetëm nëse ajo e pranon që ai ta kalërojë, të jetë në pushtet dhe të identifikohet me të. Ndryshe, është gati të zbojë çdo turist që shëtit rrugëve të këtij vendi i gëzuar për Shqipërinë, vetëm se ajo nuk është më “pronë e tij”.