Sampdoria, një nga ekipet më me emër në Itali, që ka bërë histori edhe në Europë, tani ndodhet në një situatë kaotike.

Skuadra militon në Serinë B italiane, por as aty ku e ka vendin të sigurt, pasi janë një nga ekipet më të rrezikuara për të rënë.

Situata në prag të ndeshjes së radhës duket e pashpresë. Lojtarët duken të rënduar për gjendjen e ekipit, ndërsa sirenat e policisë, vetëm sa e shtojnë tensionin. Tifozët të zemëruar me gjendjen e ekipit, kanë nisur kërcënimet, për ta bërë edhe më të vështirë situatën.

Në rrjetet sociale qarkullojnë mesazhe zemërimi, ndërsa në qendrën stërvitore të ekipit u shfaqën parulla kërcënuese, që dëshmojnë irritimin e tifozëve.

Humbja e fundit ndaj Spezias, vetëm sa ka shtuar tensionet, me skuadrën që është shoqëruar nga policia në një vend sekret, ku do të përgatisë ndeshjen e radhës ndaj Citadella-s.

Sampdoria ndodhet në zonën e rënies nga kategoria dhe rrezikon seriozisht shpërbërjen nëse përfundon në Serinë C. Një skenar i tillë do të ishte fundi i një klubi me 79 vite histori, që asnjëherë nuk ka rënë kaq poshtë. Vendimet e këqija, menaxhimi katastrofik dhe ndryshimet e shpeshta të pronarëve e kanë çuar klubin buzë greminës.

Vetëm dy fitore në 21 ndeshjet e fundit përfaqësojnë realitetin e trishtë të kësaj skuadre, ndoshta më të dobëtën në historinë moderne të Sampdorias. Një skuadër që dikur shkëlqente në vitet ’80 dhe ’90, finaliste e Kupës së Kampioneve, fituese e Kupës së Kupave dhe krenari e futbollit italian, sot gjendet një hap larg shpërbërjes.
Rruga drejt këtij fundi ka qenë e gjatë: pronarë që përfunduan në burg, kërcënime me plumba në zarfe, faliment që u shmang për pak dhe një projekt ringritjeje që tani duket si një ëndërr naive.

Rënia në Serinë C do të shkatërrojë bazën mbi të cilën është ndërtuar plani i rimëkëmbjes financiare të klubit. Marrëveshjet për ristrukturimin e borxhit nuk parashikojnë këtë skenar, çka do të thotë se gjithë procesi do të dështojë.