Kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi dje një takim me komunitetin e gorishtiotëve që jetojnë në Vlorë.
Në fjalën e tij, Gjiknuri pohoi se”kur erdha për herë të parë i deleguar, si drejtues politik në Qarkun e Vlorës në vitin 2016, bëra një takim në zonën tuaj, me disa naftëtarë. Ata më ankoheshin se si kompania private i kishte keqshfrytëzuar puset. Mora një angazhim që naftën do t ‘ia kthej shtetit dhe për atë angazhim u përballa me sulme të shumta, sa akoma më sulmojnë edhe sot. Kjo vetëm për vendimmarrjen që bëra, që nafta t’i kthehej shtetit. Ia hoqa privatit i cili kishte dështuar në zbatimin e kontratës dhe i’a ktheva naftën “Albpetrolit” që sot e kësaj dite, shumë naftëtarë të kësaj zone vazhdojnë punën me kompaninë shtetërore të Albpetrolit”.

Të them të drejtën, vijoi Gjiknuri, kjo është një nga veprat e mia që më bën krenar tek kjo zonë, pasi burimet iu kthyen atyre që u takonte, dhe që punojnë dhe sot e kësaj dite.
“Personalisht e kam promovuar ligjin e naftëtarit, duke iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre, që kanë punuar në naftë. “Përmes këtij ligji morën sakrificën, siç u takonte, për punën e tyre të rëndë në industrinë e naftës, duke sakrifikuar dhe duke i sjellë shtetit kontribute financiare. Edhe rruga e Karbunarës, rruga e Lumit të Vlorës dhe ajo drejt Selenicës, kanë qenë lobim i imi si ministër i asaj kohe”, theksoi Gjiknuri.
Referuar situatës zgjedhore, Gjiknuri pohoi se, që gjithçka e nisur të vijojë edhe më tej, Partia Socialiste duhet të ketë pushtetin. “PS është fuqia vendimmarrëse për t’i bërë mirë qytetarëve. Me Edi Ramën, ne i kemi të gjitha shanset. Vetëm me ne, gjërat mund të përmirësohen. Ka shumë arsye se, përse vota duhet të jetë për PS; për Vlorën, për zhvillimin dhe të ardhmen e Vlorës nga pikëpamja ekonomike. Me gjithë këto vepra të mëdha që po bëhen; aeroporti, dy portet e reja, të gjitha do të sjellin ekonomi, do të ketë një të ardhme më të mirë për të gjithë ju. Këto investime, do të shtojnë nevojën për më shumë biznese e më shumë punë. Të gjitha këto, janë të mira materiale që vijnë për shkak të interesimit të kësaj partie, dhe të kësaj qeverie për Vlorën. Arsyeja e dytë është rruga drejt Bashkimit Evropian. Me paketat e qeverisë për turizmin malor, për bujtina, për të rinjtë dhe të rejat që duan të kthehen dhe të ndërtojnë të ardhmen, janë fonde që i mbulon qeveria nga ana e saj. Janë grante që i merr përsipër shteti me qëllim që të zhvillohen këto lloj biznesesh.
Unë kërkoj votë për Partinë Socialiste dhe për personin tim. Dua që të marr peshën e duhur politike, për të qenë një zë i fuqishëm, me eksperiencën që kam por me fuqinë tuaj. Fuqinë e jepni me votë. Votoni modelin politik, i cili, në Vlorë tregoi që ishte modeli i mirë qeverisës”.