Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, foli rreth përgatitjeve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit dhe objektivat e saj gjatë këtij procesi.
Teksa, shpjegoi se fryma në terren karshi mazhorancës është pozitive dhe e shëndetshme, Gonxhja u shpreh se në çdo qark PS do të synojë maksimumin e mandateve, duke bërë dhe një parashikim për kryeqytetin.
“Këto janë zgjedhje komplekse dhe duhet të përballemi, kërkon shumë solidaritet. Ky është një motivim i shtuar dhe përqendrim tek ato që ne i detyrohemi qytetarëve. Tirana ka një rëndësi thelbësore. Ne do të marrim maksimumin e mandateve në Tiranë, 19, 20 do të mundohemi dhe më shumë. Diaspora do të jetë risi. Ne do të mundohemi deri në fund.
Dialogu që zhvillojmë është i shëndetshëm, rezultativ, kemi gjithçka mundemi, kemi 37 kandidatët të listës së hapur që ndihmon që komunikimi të jetë me të gjithë njerëzit në çdo lagje, komunitet. Nuk mungon eksperienca, energjia, motivimi”, tha mes të tjerash Gonxhja në A2 CNN.
Gonxhja tha se zona e Kombinatit ku ai është caktuar nga PS për të mbuluar në zgjedhjet e 11 majit, është një nga zonat më të vështira, pasi sipas tij, kjo zonë ende vuan nga problematikat e trashëguara nga tërmetet e vitit 2019.
Ai tha gjithashtu se kjo zonë, pra njësia 6 është nga më të mëdhatë në Tiranë me afërsisht 73 mijë zgjedhës, por shprehu bindjen se PS do të merrte rezultat pozitiv.
“Unë jam caktuar në njësinë 6 ku është Kombinati i vjetër në konceptin e zonës së Kombinatit, por edhe pjesa e re e njësisë 6 që bashkohet te Unaza dhe që vjen edhe përtej Unazës në drejtim të qendrës.
Është njësi shumë e madhe me rreth 73 mijë zgjedhës. Zona është nga më të vështirat edhe për shkak të problematikës që ka trashëguar sidomos për shkak të emergjencës së tërmeteve. Mendoj se të gjitha këto bashkë tani bëjnë sens në listën e hapur.
Dhe mendoj se të gjitha këto bashkë më bëjnë sens. Kjo edhe në mundësitë e mëdha që unë, MEKI dhe eksperienca ime ndër vite, e shkuara ime…”, tha Gonxhja.