9 Prill, Tiranë- Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e MSHMS, Albana Koçiu dhe drejtues të Fondacionit izraelit SASA Setton përuruan dy klasa mësimore për fëmijët e shtruar në Spitalit Pediatrik në QSUT.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se në klasat mësimore të mirëpajisura për fëmijët në Spitalin Pediatrik, janë shtuar katër mësues dhe do të realizohet mësimi përmes teknologjisë më të avancuar, por edhe duke ju referuar kurrikulës shkollore.

“Janë tashmë gati dy klasa të mësimit që kemi hapur falë ndihmës së çmuar të Fondacionit SASA Setton. Një klasë për mësimin përmes teknologjisë dhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët që janë shtruar në Spitalin Pediatrik edhe një klasë arti. Kemi vendosur katër mësues të sistemit arsimor dhe një mësuese që është e përhershme në pediatri, mësuese e ciklit fillor. Katër mësues të cilët do të jenë pjesë e ‘shkollës’ së ndërtuar tashmë në Spitalin Pediatrik, të dyja klasat janë fuknsionale, do të ofrojnë mësim, por edhe argëtim për fëmijët që trajtohen në këtë spital.”, tha Ministrja Manastirliu.
Ky investim është rezultat i marrëveshjes tripalëshe nënshkruar më herët nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe kreun e Fondacionit SASA Setton, Robert Singer për krijimin e klasave mësimore në Spitalin Pediatrik në QSUT.

Fondacioni SASA Setton ka ofruar eksperiencën për të ngritur një program të posaçëm edukues dhe argëtues për fëmijët e moshave të ndryshme, të shtruar në Spitalin Pediatrik. Klasat janë miqësorë për fëmijët, të mirëpajisura për të zhvilluar procesin mësimor edhe për të argëtuar fëmijët. Për fëmijët që e kanë të pamundur lëvizjet nga shtretërit, do të mundësohen tableta, smartphone dhe mjete didaktike të krijuara posaçërisht për ta. Krahas mësimit, do të ofrohen aktivitete që lidhen me leximin, fotografinë, muzikën etj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale ka mundësuar mjediset dhe nëpërmjet stafit mjekësor identifikon fëmijët që mund të marrin pjesë në këto klasa, Ministria e Arsimit dhe Sportit jep mbështetjen e plotë përmes mësuesve të kualifikuar si dhe për përshtatjen dhe zbatimin e programeve mësimore apo veprimtarive argëtuese.
Roli i mësuesit është parësor në këtë iniciativë, pasi inkurajon fëmijët të marrin pjesë në orët mësimore, por edhe aktivitetet argëtuese. Nga njëra anë ai do të ndihmojë fëmijët që të vazhdojnë programin e tyre mësimor, edhe në rastet kur bëhet fjalë për provimet kombëtare, por nga ana tjetër do t’i nxisë të jenë aktivë, në mënyrë që ta përballojnë qëndrimin në spital me sa më shumë sukses dhe lehtësi.

Falë këtij bashkëpunimi fëmijët që kurohen pranë këtij spitali do të kenë mundësi të vazhdojnë programin mësimor dhe të argëtohen me njëri-tjetrin në hapësira të dedikuara.