Nga Endrit Hora/

Sa normale është që një njeri, i cili nuk ka lënë kundërshtar pa goditur dhe sulmuar për korrupsion, me dhe pa të drejtë, të heshtë sot përballë një kontrate prej 6 milionë dollarësh, që partia të cilën e kontrollon do të paguajë për lobim në Shtetet e Bashkuara?

Sali Berisha, njeriu që çdo javë del në konferenca shtypi me tone alarmante, me shifra të ekzagjeruara dhe me epitete që i prodhon vetëm mendja e tij, deri sot nuk ka thënë asgjë. Ka heshtur ai, kanë heshtur dhe eksponentët e Partisë Demokratike, përveç 2-3 të përdorurve të zakonshëm që belbëzojnë aty-këtu togfjalëshin “kontribut patriotik”. Heshtin të gjithë, edhe pse bëhet fjalë për një shumë marramendëse të investuar në emër të një partie që është në krizë politike, financiare dhe morale.

Por, ndoshta më shqetësuese sesa heshtja e Berishës, është heshtja e mediave dhe e një pjese të mirë të opinionit publik. Besojnë vërtet se në Shqipëri, skandalet kanë afat skadence tre-ditor, dhe gjithçka tjetër mbulohet nga stuhia e radhës?

Mjafton të imagjinojmë sikur një kontratë e tillë do të ishte firmosur nga Partia Socialiste. A do të kishte mbetur ndonjë studio televizive pa u përfshirë në një “revolucion moral”? A do të kishte mbetur ndonjë titull i papërdorur për të goditur imazhin? A do kishin reshtur thirrjet për dorëheqje, për hetime, për drejtësi?
Berisha e ka përdorur më parë këtë mekanizëm të frikshëm të harresës kolektive, disa herë me sukses, herë të tjerë me një faturë që nuk ka vonuar, edhe pse e kripur pikësëpari për shqiptarët.
Ka disa pyetje që nuk mund të lihen pa bërë.

Vërtet mendon Sali Berisha se ky është një prej atyre skandaleve, i cili kapërdihet me heshtje?

Vërtet mund t’ia kenë thënë konsulentët e tij amerikanë, që meqenëse në marrëdhëniet publike çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se tre ditë, edhe kjo do të kalojë?
Vërtet beson se do t’ia hedhë paq, siç mendonte se po ia hidhte kur deklaronte se paratë e shqiptarëve janë të sigurta, në momentet kur u gjend keq para pyetjeve mbi skemat piramidale?
Vërtet mendon se do ia hedhë, siç bëri kur u thoshte përfaqësuesve të trupit diplomatik se nuk e kishte fare idenë kush e kish sjellë tankun para portave të PD, kur organizoi grushtin e shtetit të 1998-ës?
Vërtet beson se do ia hedhë, siç mendoi se po ia hidhte kur thoshte se nuk e njihte fare baxhanakun e tij që humbi jetën në Gërdec, në përpjekjen e tij për të thënë se nuk e kishte haberin kush po pasurohej në kurriz të jetës së 26 njerëzve?

Vërtet beson se do ia hedhë, siç mendoi se ia hodhi kur fliste për çadra-pistoletë mes protestuesve paqësorë që u vranë në 21 janar, apo siç ia hodhi kur fshiu serverat e Kryeministrisë?
Problemi i tij është se mbështetet ende tek i njëjti instinkt: hesht tani, bëj zhurmë nesër, njerëzit do harrojnë. Ndoshta edhe këtë herë pret që jeta të vazhdojë, si gjithmonë.
Por ndoshta nuk do të jetë kaq e lehtë këtë herë.

Sepse ata që do të shkojnë për të votuar në 11 maj, nuk mund të pranojnë më standarde të dyfishta. Nuk mund të luftosh korrupsionin me Flamurin në dorë, ndërsa fsheh miliona pas shpine. Nuk mund të bësh opozitë me moral, kur nuk ke as guximin të ndërtosh një narrativë as një javë pasi ka plasur skandali.
Sali Berisha mund të heshtë. Por kjo nuk është heshtje e pafajshme. Është zhurmë. Është arrogancë. Është fyerje për çdo qytetar që ende beson se politika duhet të shërbejë, jo të maskojë.
Në fund, si çdo maskë, edhe kjo bie. Sali Berishës i ra fati keq t’i bjerë shpejt. Faturën, e merr në 11 maj.