ChatGPT është kthyer në një pikë referimi për njerëzit. Së fundmi rezulton Inteligjenca Artificiale i shpëtoi jetën një gruaje e cila zbuloi kancerin që mjekët nuk e kishin vënë re. Lauren Bannon, një grua 40-vjeçare nga North Carolina, kaloi dy vite duke marrë diagnozën e gabuar. E lodhur dhe e dëshpëruar nga mungesa e përgjigjeve të sakta, ajo vendosi t’i drejtohej ChatGPT-së.
Bannon filloi të përjetonte probleme në lëvizjen e gishtave në mëngjes dhe mbrëmje, në shkurt të vitit 2024. Pas disa muajsh vizitash, mjekët i thanë se vuante nga artriti reumatoid edhe pse analizat rezultonin negative për këtë sëmundje. Inteligjenca artificiale i sugjeroi se simptomat e saj mund të lidheshin me sëmundjen e Hashimotos, një çrregullim autoimun që prek tiroiden. Megjithëse mjekët fillimisht ishin skeptikë, Bannon këmbënguli për të kryer analiza të mëtejshme të tiroides dhe në fund u diagnostikua me kancer. Ajo është e bindur se pa ndihmën e ChatGPT-së, sëmundja dhe kanceri i saj mund të kishin mbetur të pazbuluar.

“U ndjeva e zhgënjyer nga mjekët. Dukej sikur thjesht po përpiqeshin të më jepnin ilaçe për gjithçka, vetëm që të të nxirrnin sa më shpejt nga dera. Duhej të zbuloja çfarë po ndodhte me mua. Nuk po merrja përgjigjet që më nevojiteshin. Nëse nuk do të kisha përdorur ChatGPT, thjesht do të kisha marrë ilaçe për artritin dhe kanceri do të ishte përhapur në të gjithë trupin tim,”-tha Bannon.
Pas diagnozës së kancerit, ajo iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tiroides dhe dy nyjeve limfatike. Tani, ajo do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm për të kontrolluar rikthimin e mundshëm të sëmundjes.